Operacioni Sportisti vë tre në pranga
Tre persona ish-punonjës të Komisionit të Blerjeve të Vogla në Agjencinë e Shërbimit të Sporteve Tiranë janë vënë sot në pranga nga policia kundër Krimit Ekonomiko Financiar. Nga operacioni i koduar Sportisti u vunë në pranga për shpërdorim detyre Mariana Xhori, 59 vjeç, ish-shefe e Zyrës së Financës e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve,Tiranë, Pëllumb Velaj, 59 vjeç, ish-teknik i mesëm në ASHST dhe Mustafa Tukseferi, 62 vjeç punonjës i kësaj agjencie.
Të tre këta persona dyshohet se kanë qenë anëtar të komisionit të blerjeve të vogla pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve Tiranë, përgjatë periudhës janar shtator 2008, kohë kur kanë kryer procedura prokurimesh për blerje të vogla në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, duke i shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm pasurisë shtetërore në vlerën rreth 4 milion lekë.