Rrëshen, vdes gjatë lindjes nëna dhe foshnja
Marina Mrruku, 36-vjeç, ka ndërruar jetë 30 minuta pas lindjes së bebes së vdekur. Mjekët: Kishte hemorragji të pandalshme Gruaja priste fëmijën e tretë, ndërsa la jetimë vajzën 10-vjeç dhe djalin në klasën e parë RRËSHEN-Lindja e tretë ka qenë e pafat për një nënë nga Rubiku. Jo vetëm për të, por edhe për bebin që mbante në bark. Vetëm pak çaste pas ndërhyrjes për lindjen e bebit, i cili ka dalë në dritë pa jetë, ka vdekur edhe 36-vjeçarja, duke lënë pas dyshimin për vdekjen e dyfishtë në këtë maternitet. Mjekët ende nuk dinë të thonë saktësisht shkakun që solli këtë ngjarje të rëndë, ndërsa shtojnë se janë duke bërë hetime dhe ekzaminime intensive për këtë. “Vetëm pas verifikimeve mjekësore do të mund të thuhet shkaku i vdekjes së nënës dhe foshnjës”,- thonë burimet spitalore nga materniteti i Rrëshenit. ***
Marina Mrruku, 36-vjeç, ishte nënë e dy fëmijëve, ndërkohë që priste të lindte fëmijën e saj të tretë.Sipas burimeve nga materniteti ajo ishte e lindur në Përlat, por së bashku me familjen banonte në Rubik. Mësohet se gruaja shtatzënë kishte ardhur për t’u shtruar në këtë maternitet dy ditë më parë, e shqetësuar nga dhembjet e lindjes. Ajo është sjellë në spital nga kunata e saj, ndërkohë që bashkëshorti së bashku me vëllanë e vetëm të së ndjerës ishin emigrantë në Greqi. Sapo është shtruar në repartin e maternitetit të spitalit Rrëshen, pas dy ditë trajtimi spitalor nga mjekët gjinekologë, shtatzëna është futur në sallën e lindjes, në pritje të lindjes së foshnjës. Burime pranë spitalit konfirmojnë se akti i lindjes është asistuar me kujdes nga mjekët specialistë, por që në fillim janë vënë re probleme serioze gjatë aktit të lindjes.***
Duke parë që ecuria ishte tejet e vështirë, sipas burimeve nga materniteti gruas i është kushtuar kujdes maksimal. Por megjithatë lindja ka rezultuar e pafat, pasi foshnja ka lindur e vdekur pas një procesi tejet të komplikuar në lindje. Pikërisht pas lindjes së bebes së vdekur, sipas mjekëve, gjendja e nënës lehonë ka nisur të përkeqësohet rrufeshëm. “Ajo ka pasur hemorragji të vazhdueshme, e cila nuk është mundur të ndalet dot”,- thonë mjekët, sipas të cilëve kanë asistuar edhe infermierë të thërritur në ndihmë të gruas nga mjekët që po e asistonin. Burimet spitalore theksojnë se shumë mjekë janë thirrur në mes të natës nga drejtori i spitalit Simon Kala, për t’i shpëtuar jetën nënës 36-vjeçare, duke i bërë reanimimin intensiv me oksigjeno-terapi, dhënien e lëngjeve intravenozë, dhënie gjaku e masa të tjera. Por gjithçka ka qenë e pamundur, sepse Marina Mrruku ka vdekur pas 30 minutash përpëlitje në mes jetës e vdekjes, pikërisht rreth orës 01.30 të natës.
***Nëna që priste fëmijën e tretë, ka lënë jetimë dy fëmijët e tjerë, vajzën në moshën 10-vjeçare dhe djalin në klasën e parë. Vdekja e saj ka tronditur rëndë familjarët dhe të afërmit, ndërsa bashkëshorti së bashku me vëllanë e vetëm janë kthyer menjëherë në vendlindje, sapo kanë marrë vesh lajmin e hidhur të vdekjes së Marinës për të kryer ceremoninë mortore të vdekjes së dyfishtë në këtë familje. 36-vjeçarja Marina Mrruku ishte martuar 15 vite më parë me Bashkim Skënderin nga Tepelena, dhe që para dy vitesh ata ishin larguar prej andej për të jetuar në qytetin e Rubikut ku kishin blerë dhe një banesë. Mjekët:Dyshime për çrregullim të hemostazës Përgjatë gjithë ditës në spitalin e Rrëshenit janë bërë analiza për të përcaktuar shkakun e kësaj vdekjeje tragjike dhe të beftë, por ende nuk ka një version zyrtar nga se ka ardhur ajo. Burime spitalore konfirmuan se janë mbajtur kampionë gjaku për të parë nëse e ndjera ishte bartëse e ndonjë sëmundjeje në gjak, gjë që mund të ketë influencuar vdekjen. Sipas tyre, gjasat më të shumta lidhen me çrregullimet e hemostazës,(mos koagulimin i rregullt i gjakut), duke sjellë hemorragji të pandalshme dhe të vrullshme çka ka çuar dhe në vdekjen e shpejtë të Marina Mrrukut.