E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon energjia, pacienti 30 minuta i hapur në sallën e operacionit

Sipas mjekëve të Shkodrës, nuk ishin lajmëruar për ndërprerje, ndaj kishin planifikuar ndërhyrje. KESH: Defekt në çelësin e nënstacionit kryesorSHKODËR-Ndërprerja e energjisë elektrike në spitalin e Shkodrës ka vënë në rrezik jetën e një pacienti që ndodhej në sallën e operacionit. Për 30 minuta ai ka mbetur i hapur e në errësirë, ndërsa mjekët kanë vënë alarmin, duke u mundur të bëjnë dritë me mjete rrethanore. Ndërkohë që pacienti me fat që po operohej nga apendiciti ka arritur të dalë gjallë, mjekët e cilësojnë ndërprerjen e energjisë nga KESH-i të patolerueshme dhe kërkojnë që situata të tilla të mos përsëriten më, pasi luhet me jetën e njerëzve. ***
Mësohet se dje gjatë gjithë ditës, furnizimi me energji elektrike i spitalit të Shkodrës ka qenë me ndërprerje, ndonëse ky institucion i rëndësisë së veçantë nuk ka qenë i njoftuar më parë për këto kufizime. Shërbimet kryesore janë mbuluar me gjeneratorin e spitalit, por pasdite rreth orës 17.00, gjeneratori ka pësuar defekt. Në këtë moment drejtuesit e personelii spitalit kanë kërkuar ndihmën urgjente të KESH-it, që të risillte energjinë elektrike, pasi në sallën e operacionin ndodhej një pacient. Por, pas lidhjes me drejtuesit është mësuar se për shkak të një defekti ishte i pamundur furnizimi. Për rreth 30 minuta, pacienti ka qëndruar në sallën e operacionit në gjendje kritike, ndërsa personeli i spitalit ka mundur të sigurojë një ndriçim me mjete rrethanore, por pa mundur të vërë në punë aparaturat që punojnë me energji elektrike. Më pas, energjia elektrike ka riardhur ndërsa mjekë e infermierë shprehen të shqetësuar për situatën e krijuar. ***
Sipas drejtuesve të spitalit, nuk ka pasur asnjë lajmërim të mëparshëm për ndërprerjen e energjisë elektrike. “Kjo duhej që të paktën ne të mos bënim ndërhyrje të planifikuara”,- thonë burimet spitalore. Gjeneratori i cili është mekanik ka punuar thuaje gjithë ditën, por vetëm për të furnizuar me energji elektrike repartet e shërbimet kryesore të repartit, ku ka aparatura me rëndësi jetike për pacientët. Nga ndërprerjet e shumta të energjisë elektrike gjatë ditës, sipas mjekëve, gjeneratori ka pësuar defekt. Mësohet se punonjësit kanë dhënë alarmin në KESH, por përgjigja e marrë ka qenë: Ka defekt për shkak të punimeve. “Situata e krijuar ka qenë tepër e rëndë dhe mjaft e pakuptueshme. Energjia elektrike ka pasur disa shkëputje dhe jo ndërprerje të plotë, duke sjellë mjaft anomali. Personeli që i ka shtëpitë afër spitalit ka vrapuar atje për të marrë mjete ndriçuese sa për të siguruar ndihmën e parë për personin që po operohej nga apendiciti, por që kishte dhe probleme kardiake pasi ishte operuar në zemër tre here jashtë vendit”,-shprehen mjekë të këtij spitali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›