E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH projekt me Amb.Austriake, Tafaj: Për zhvillimin e arsimit

TIRANE- Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Ambasadori i Austrisë në Tiranë Florian Raunig dhe Përfaqësuesja e Kulturkontakt Austria Monika Mott nënshkruan memorandumin e mirëkuptimi në kuadër të reformës së Arsimit të Mesëm Ekonomik në Shqipëri. Gjatë ceremonisë, Ministri Tafaj vlerësoi se projekti “ALBIZ” Albanian Business School, është ndër më të rëndësishmit në zhvillimin e arsimit të mesëm profesional në Shqipëri, kjo edhe për përatitjen e të rinjve për tregun e punës. “Arsimi profesional është një ndër prioritetet që përcakton programi i Qeverisë dhe politikat e MASH-it për këtë mandat në kuadrin e përgatitjes së të rinjve për tregun e punës. Shqipëria është një vend me popullsi të re dhe për pasojë kërkesa për punë është shumë e lartë dhe kualifikimi në shkollat profesionale është një ndër rrugët kryesore dhe të suksesshme për të realizuar punësimin e djemve dhe vajzave të këtij vendi.” theksoi Tafaj. Duke u ndalur në aspektet e projektit, Ministri Tafaj nënvizoi në mënyrë të veçantë rolin e mësuesit, i cili është në epiqendër të të gjithë reformës së thellë arsimore në vendin tonë. Projekti “ALBIZ” ka një financim prej 800 mijë euro nga i cili do të përfitojnë 11 shkolla të mesme ekonomike dhe rreth 80 mësues të këtyre shkollave. Ky projekt vlerësohet si shumë i rëndësishëm, objektivat e të cilit përputhen me ato të Ministrisë së Arsimit në fushën e arsimit profesional. Parashikohet që impakti i këtij projekti të jetë i drejtpërdrejtë për së paku në 4 mijë nxënës të shkollave të mesme ekonomike. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›