BE heq vizat e Serbisë, Maqedonisë dhe Mali të zi; tani, radha e Shqipërisë
Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian miratuan dje propozimin e Komisionit për heqjen e vizave Shengen me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Sipas këtij propozimi, duke filluar nga data 19 dhjetor, qytetarët e këtyre vendeve që kanë pasaporta biometrike mund të lëvizin lirshëm në vendet Shengen dhe për ta nuk do të jetë e nevojshme viza për qëndrim afatshkurtër 3-mujor, në vendet e bllokut 27-anëtarësh. Vendimi i ministrave shprehet se qytetarët e këtyre vendeve përjashtohen nga mundësia për punësim në vendet e BE-së. Ministrat shprehën gjithashtu mbështetjen e plotë lidhur me heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, e paralajmëruar të ndodhë në mesin e vitit 2010. Ministri suedez për migracionin dhe azilin, Tobias Billtrom theksoi se gjithashtu u ra dakord për një marrëveshje të përbashkët në të cilën nxiten qeveritë e Shqipërisë dhe Bosnjës, që të vazhdojnë më tej me reformat. Në pritjen që Presidenca suedeze ka organizuar me ministrat e 3 vendeve të Ballkanit, janë ftuar gjithashtu edhe ministri i Brendshëm shqiptar, Lulzim Basha, si dhe homologu i tij boshnjak. Alexandra Stiglmayer, eksperte në Iniciativat e Stabilitetit Evropian u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa para dhe sipas saj, nëse ruhen këto ritme, vizat mund të hiqen edhe më parë se korriku i vitit 2010. “Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë shumë progres muajt e fundit. Tani, Komisioni duhet të vlerësojë këtë progres, që ne shpresojmë se do ta bëjë sa më shpejt e më pas Komisioni do të bëjë një propozim legjislativ. Nëse gjithçka shkon mirë, Shqipëria dhe Bosnja mund të kenë ndoshta një regjim pa viza në prill-maj të vitit të ardhshëm, edhe pse data më reale e synuar duket korriku”, - deklaroi ekspertja Stiglmayer.