Berisha: Trupat ruse, agresion ndaj Gjeorgjisë
TIRANË- E vërteta mbi shitjen ose jo të armëve nga Shqipëria për Gjeorgjinë nuk është mësuar as në takimin e zhvilluar dje mes kryeministrit Sali Berisha dhe Ambasadorit rus në Tiranë, Aleksandër Prishepov. Takimi i kërkuar nga ky i fundit ka pozicionuar qartazi qëndrimet e dy vendeve Rusisë dhe Shqipërisë lidhur me situatën në Gjergji, ndërkohe që në sitin zyrtar të Kryeministrisë nuk jepet asnjë informacion mbi atë ç’ka mund të jetë diskutuar për shitjen e armëve. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, Ambasadori rus e informoi Kryeministrin Berisha mbi situatën në rajonin e Kaukazit dhe qëndrimin e Rusisë mbi konfliktin ne rajonet e Osetisë dhe Abkhazisë si dhe në qëndrimin rus sa i përket këtyre territoreve. Sipas Ambasadorit Prishepov, natën e 7-8 gushtit, Kryeqyteti Osetian u godit nga artileria gjeorgjiane, duke sjellë, sipas tij edhe vrasjen e shumë qytetarëve të pafajshëm. Ky agresion i Gjeorgjisë, vijoi Ambasadori, shkaktoi përgjigjen e mëpasme të Rusisë, e cila ndërhyri ushtarakisht për të mbrojtur paqeruajtësit rusë dhe qytetarët rusë në Oseti. Pas luftimeve, Ambasadori rus ka sqaruar edhe arsyen se pse Rusia njohu pavarësinë Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Por kryeministri Sali Berisha i theksoi Ambasadorit Prishepov, se qeveria shqiptare është shume e shqetësuar për zhvillimet në rajonin e Kaukazit, të cilat i konsideron si shumë të rrezikshme për të ardhmen e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në këtë rajon, por edhe më gjerë. Kryeministri Berisha theksoi se prania e trupave ruse në rajonin e Osetisë dhe Abkhazisë e bazuar në marrëveshjen ndërkombëtare të nënshkruar në fillim të viteve 1990 është në përputhje me të drejtën ndërkombëtar, ndërsa lidhur me konfliktin që filloi më 7-8 gusht, ka interpretime të ndryshme për sa i përket përgjegjësisë dhe karakterit të tij. “Shpalosja e trupave ruse jashtë territorit të Osetisë dhe Abkhazisë përbën një agresion të qartë ndaj Gjeorgjisë”, -u shpreh kryeministri Berisha. Qeveria shqiptare përshëndet projektin e Presidentit Sarkozi, dhe projekt-marrëveshjen që u nënshkrua nga presidentët Sakashvili dhe Medvedev me kontributin e Sekretares amerikane të Shtetit, Rice. Shpallja e pavarësisë së Osetisë dhe Abkhazisë në mënyrën që u krye, sipas Berishës, krijon përshtypjen se ky është hapi i parë i një plani për aneksim të plotë të këtyre territoreve nga Rusia. “Qeveria shqiptare beson se zbatimi i planit Sarkozi sipas ligjeve ndërkombëtarë të votuar edhe nga Rusia është jashtëzakonisht i domosdoshëm për një zgjidhje të drejtë të këtij konflikti. Pavarësia dhe integriteti territorial i Gjeorgjisë duhet të jenë të garantuara sikundër të garantohen të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e këtyre rajoneve”,- tha Berisha gjatë takimit, duke shtuar se marrëveshja e firmosur nga presidentët Sakashvili dhe Medvedev duhet të zbatohet.