Imunitetet, Gumi: PD ka gati draftin

Grupi parlamentar i PD-së kërkoi dje votat e opozitës për kalimin e draftit të imuniteteve
TIRANË - Shumica qeverisëse ka gati drafte konkrete, me anë të të cilave synon të kufizojë ose të heqë tërësisht imunitetin për zyrtarët e lartë, përfshi këtu edhe deputetët.
Deputeti demokrat, Viktor Gumi, duke folur dje në seancë plenare ka çuar më tej qëndrimin e shprehur pak ditë më parë edhe nga kryeministri Sali Berisha lidhur me çështjen e imunitetit, duke evidentuar faktin se mazhoranca ka të gatshme propozimet për kufizimin e imunitetit.
"Një pyetje ka qenë nëse shteti shqiptar ka plane të amendojë kushtetutën apo jo, përgjigja ka qenë po. Në axhendën e punës së parlamentit si pikë e parë e amendimit të kushtetutës është reformimi dhe pse jo eliminimi tërësor i institutit të imunitetit", - tha Viktor Gumi.
Për realizimin e këtij qëllimi, Gumi ka theksuar se ekzistojnë mendimet për të ndërhyrë nëpërmjet tre rrugëve, amendimit të Kushtetutës, ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale ose Rregullores së Kuvendit.
"Besoj se tashmë kemi kaluar nga koha e retorikave, nga diskutimet te parimet e konstitucionalizmi, kemi disa vjet që kemi kaluar në një përgjigje konkrete, së pari një draft serioz për një shtesë në rregulloren e kuvendit për çështjen e imunitetit të parlamentarëve në fushën e veprave penale veçanërisht në fushën e korrupsionit.
Po në legjislaturën e kaluar nisi proces diskutimi nëpërmjet amendimeve kushtetuese por dhe ky proces ngeci që në fillim jo për fajin tonë. Ka mendime dhe mundësi që imuniteti mund të lehtësohet dhe nëpërmjet amendimeve të kodit të procedurës penale dhe për këtë ka drafte të gatshme", - tha Gumi në fjalën e vet.
Por për të bërë këtë gjë ai ka ritheksuar se të djathtët do të respektonin qëndrimin e shprehur nga Komisioni i Venecias dhe nuk do të miratonin një ndryshim të tillë pa qenë dakord paraprakisht edhe opozita. Ndaj ai ka ripërsëritur edhe një herë kërkesën kundrejt opozitës që të shprehet qartazi në lidhje me qëndrimin e saj nëse është pro apo kundër heqjes së imuniteteve. "Komisioni i Venecias vendosi kushtin e miratimit me 3/5.
Nga ky fakt ende nuk kemi një përgjigje të opozitës, publike dhe pa ekuivokë a do ta miratojë. Jeni të gatshëm për konsensus politik e juridik. Imuniteti në çdo vend tjetër është tema e preferuar e opozitës, këtu ndodh e kundërta. Ka një opozitë që hesht dhe ka mazhorancë që aktivizon shpesh e më shpesh kërkesën se do gjejë konsensusin e opozitës. Kërkojmë një përgjigje, në mungesë të saj kemi të drejtën të themi se keni frikë", - u shpreh deputeti demokrat Viktor Gumi.