PS kushtëzon votën në Kuvend me zgjidhjen e krizës
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, tha se mazhoranca është gati të bashkëpunojë, por vetëm në përputhje me Kushtetutën
TIRANË - Kuvendi nuk do mund të kalojë asnjë ligj që kërkon shumicë të cilësuar votash pa u zgjidhur më parë kriza politike që ka mbërthyer vendin që prej 10 muajsh. Opozita shprehet parimisht dakord të votojë çdo nismë që do t'i shërbente vendit dhe grupeve të ndryshme të interesit, por refuzon të bëhet pjesë e asaj, që ajo e ka konsideruar dje si garniturë politike e mazhorancës.
Në emër të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka deklaruar dje votën kundër kalendarit dhe programit të punimeve të Kuvendit, duke kundërshtuar në mënyrë të veçantë të gjitha nismat ligjore që shumica qeverisëse ka përfshirë në to dhe që për tu miratuar kërkojnë një shumicë të cilësuar votash.
"Nga 22 apo 23 që keni këtu gati 10 apo 11 janë ligje kodesh që duan shumicë të cilësuar që përsëri të çojnë te kryefjala që thashë në fillim, kërkojnë një mirëkuptim, zgjidhje e krizës politike, një marrëveshje e gjerë dhe e plotë që ky institucion të mbushë mision jo në zyra partiake, por për të dhënë qëndrueshmëri e vlera.
Përsëri u bëj apel që ta gjykojmë me gjakftohtësi, ta shikoni të vërtetën në sy, opozita nuk mund të jetë garnitura e mazhorancës që çdo gjë që ju nisni ta bitisim, në këto kushte nuk mund të behet bashkëfajtor e bashkëpërgjegjës", - tha Ruçi, duke folur në Kuvend.
Sipas tij, është jo serioze që për sa kohë kriza mbetet e pazgjidhur në kalendar dhe në programin e punës së Kuvendit futen nisma ligjore, që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, ose thënë ndryshe kërkojnë konsensusin e të gjitha palëve.
"Në kushtet kur mazhoranca po mban një qëndrim refraktar për zgjidhjen e krizës politike prej 10 muajsh, në kushtet kur ju si mazhorancë nuk po i përgjigjeni ofertës së opozitës që është shumë serioze për të gjetur një mirëkuptim për bërjen e reformave aq të domosdoshme për integrimin e vendit, kur opozita ka ofruar mirëkuptimin që të gjithë të zgjedhurit në organet e drejtësisë të zgjidhen me shumicë të cilësuar, ofertë kjo që jo vetëm që ka bërë që të mos ketë asnjë përgjigje, por në vend që të merrte një përgjigje serioze aktualisht sot në këtë kalendar përfshihet përgjigja më e shëmtuar që jo vetëm organet e drejtësisë do zgjidhjen me shumicë të thjeshtë por do hiqet dhe votimi i fshehtë për votimin e tyre", - tha më tej Ruçi, duke theksuar në të njëjtën kohë se opozita do të ishte e gatshme të miratonte nisma të tilla siç është ajo për gjykatën administrative por jo një gjykatë politike.
Por sipas kreut të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi prania në kalendar dhe program e disa projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, nuk mund dhe nuk ka për qëllim të ndikojë në vendimmarrjen politike të PS-së. Ndërkohë, duke iu përgjigjur pretendimeve të Ruçit për bashkëpunim Patozi në emër të mazhorancës ka shprehur gatishmërinë për ta realizuar një gjë të tillë, por për të zhvilluar, sipas tij, reformat e duhura dhe për të realizuar marrëveshje që bien ndesh me ligjet e vendit.
"Ju kërkoni që ne të bashkëpunojmë, jemi dakord të bashkëpunojmë dhe kemi vetëm një kusht që në fakt nuk është kusht por detyrimi ynë, që të mos shkelim ligjet dhe kushtetutën, jemi të hapur të bashkëpunojmë për të gjitha pretendimet dhe kërkesat normale e ligjore të opozitës", - tha Patozi, duke ftuar në të njëjtën kohë opozitën që ta harrojë fjalën krizë.
Duke iu referuar kalendarit dhe programit të punës të miratuar pa votën e opozitës, vihet re se në tre javorshin e ardhshëm Kuvendi do të votojë "Për projektligji e Gjykatën Administrative", ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe dekretet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që janë përfshirë për diskutim deri në fund të këtij sesioni edhe 7 kode të ndryshme që kërkojnë shumicë të cilësuar votash.