E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Lini kutitë, merrni shembull nga futbolli

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Ruçi, përgjigjet: Kemi 10 muaj që s'kemi folur për gol offside apo për arbitrim të keq. Kemi folur për trukim të zgjedhjeve


TIRANË - Mazhoranca ka refuzuar sërish transparencën e zgjedhjeve të kërkuara nga opozita si rrugë për zgjidhjen e krizës politike, duke u këshilluar përfaqësuesve të Partisë Socialiste që të mos merrem më me këtë çështje, por të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme vendore.


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka shmangur problematikën kryesore politike, duke i krahasuar aksionet politike me ato të futbollit. Patozi u ka kërkuar socialistëve që në ditët në vazhdim të lënë mënjanë çështjen e hapjes së kutive.


Duke bërë një analogji mes futbollit, kur kampionati botëror ngre siparin ditën e sotme, Patozi u kërkoi deputetëve të majtë që të nxjerrin mësime nga ky kampionat. Sipas tij, opozita duhet të pranojë mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet e kaluara dhe se opozita duhet të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme lokale.


"Ju mund ta shikoni kampionatin dhe të nxirrni mësim se kampionati botëror si evenimenti më i madh sportiv ka disa elementë që mund t'u vijnë në ndihmë se aty shpirti i garës është simbol që mund t'u vijë në ndihmë, aty mund të mësoni se kur një ekip humbet dhe kur arbitri fërshëllen tre herë humbësi i jep dorën fituesit, mund të mësoni se për të ftuar një kompeticion tjetër duhet që përgatitja të fillojë që ditën që kundërshtari ngre kupën", - tha dje Patozi.


Ai shtoi se opozita duhet të pranojë të gjitha vendimet që janë dhënë për zgjedhjet kaluara parlamentare, ndërsa e ftoi atë që të mos humbasë edhe një vit, por të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit që vjen. "Mund të mësoni që kur gjyqtari fërshëllen duhet të respektoni vendimin e tyre, që kompeticioni tjetër vjen shumë shpejt dhe nëse nuk përgatiteni do e humbisni dhe atë.


Pas kampionatit botëror vjen kampionati evropian dhe këto janë zgjedhjet lokale. Keni humbur një vit dhe ju ftoj që mos humbisni dhe një vit tjetër", - u shpreh ai. Por, pas qëndrimit të kreut të grupit demokrat, reagoi kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.


Ai vuri në dukje se topi politik është në fushën e shumicës, ashtu siç e ka theksuar edhe vetë faktori ndërkombëtar, por, sipas tij, mazhoranca po gabon me qëndrimin e saj politik, duke mos dhënë asnjë mundësi për zgjidhjen e krizës politike.


"Kur fola nuk fola për muhabet futbolli, por meqë e keni përdorur dhe njëherë tjetër këtu, ai topi i futbollit dhe topi politik nuk ndahen me njeri- tjetrin jam dakord, por keni 10 muaj që topi politik është në fushën tuaj, këtë top kërkohet që ta çoni, siç u kanë thënë dhe partnerët tanë europianë në rrjetën europiane, po e nxirrni jashtë, po gjuani shtyllë, po i bini shtyllës me kokë", - nënvizoi Ruçi.


Kryetari i grupit parlamentar socialist specifikoi se opozita ka rreth një vit që kërkon hetimin e zgjedhjeve të manipuluara dhe për këtë arsye, ato duhet të hetohen dhe të dënohen personat përgjegjës.


"Prandaj të nderuar kolegë meqë e bëre krahasimin e politikës me futbollin po të them se të gjitha i përmende, por një gjë nuk përmende, trukimin e një ndeshje dhe ne kemi 10 muaj që nuk kemi folur për gol offside apo për arbitrim të keq. Kemi folur për trukim të zgjedhjeve. Pra, ky proces trukimi doli dhe ai duhet të hetohet dhe dënohet", - tha Ruçi.


Batutat midis Patozit dhe Ruçit


Patozi: "Së fundi, mund t'u duket jashtë temës, por, nesër (sot) është kampionati botëror dhe siç e dini kjo është një ngjarje jo vetëm sportive, por më shumë se kaq. Do t'ju ftoja që mos i bezdisni shqiptarët në këto ditë kampionati me legjendat tuaja, me përrallën e kutive, me historinë e krizës se nuk kam hallin e tyre se ata u kanë braktisur me kohë, kam hallin tuaj që mos bëheni qesharakë."


Ruçi: "Prandaj të nderuar kolegë, meqë e bëre krahasimin e politikës me futbollin, po të them se të gjitha i përmende, por një gjë nuk përmende, trukimin e një ndeshje dhe ne kemi 10 muaj që nuk kemi folur për gol offside (ofsajd) apo për arbitrim të keq. Kemi folur për trukim të zgjedhjeve. Pra, ky proces trukimi doli dhe ai duhet të hetohet dhe dënohet."


Topalli: "E kthyem në seancën e futbollit. Jemi te kalendari dhe programi, Gramoz ta dhashë fjalën dy minuta për replikë."


Ruçi: "Edhe një fjali, fjalinë e fundit. U fol për futbollin, por dje u dha dhe një njoftim që nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës nuk do kenë shqiptarët drita për 10 ditë rresht."


Kamëz, Berisha shpërndan tesera të PD-së


TIRANË - Përveç inaugurimeve të shumta të rrugëve dhe shkollave që ka ndërmarrë kohët e fundit, Kryeministri Sali Berisha ka filluar edhe një fushatë tjetër, kur dje në Kamëz janë shpërndarë tesera të Partisë Demokratike. Kreu i qeverisë mori pjesë dje në ceremoninë e anëtarësimit të qindra të rinjve në Partinë Demokratike.


Ai theksuar se qeveria që ai drejton është e angazhuar për të hapur sa më shumë vende pune për ta. Sipas Berishës, zgjedhja e të rinjve për t'u anëtarësuar në Partinë Demokratike, është në të mirë të shoqërisë, pasi, sipas tij, partia që ai drejton është partia e lirive dhe të drejtave të njeriut.


Anëtarësimin e të rinjve në PD, Kryeministri tha se do t'ua kompensojë secilit me nga një kompjuter të shoqëruar me internet në shtëpitë e tyre. "Fjala ime e nderit, brenda këtij mandati secili prej jush do ketë kompjuter në shtëpinë e tij dhe internet.


Punësimi juaj do të jetë dhe mbetet një nga përparësitë më madhore, ndaj dhe ne së bashku me ju po e bëjmë Shqipërinë vendin më tërheqës", - tha dje Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›