Sot projektligjet “Për Gjykatën e Lartë” dhe “Për nëpunësin civil”
Komisioni parlamentar i Ligjeve
Komisioni parlamentar i Ligjeve nis sot shqyrtimin e dy projektligjeve të rëndësishme: “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” dhe “Për nëpunësin civil”, që synojnë vendosjen e rregullave të reja teknike për mbarëvajtjen profesionale të këtyre shërbimeve. Të dy projektligjet qartësojnë kriteret e punësimit, duke i dhënë atributet përkatëse punonjësve të shërbimit civil dhe atyre të administratës publike dhe duke vlerësuar meritën si një kriter të rëndësishëm në këtë proces.
Gjatë miratimit të këtyre dy drafteve në mbledhjen e qeverisë, pak javë më parë, kryeministri Sali Berisha tha se projektligji i nëpunësit të shërbimit civil dhe ai për administratën publike plotësojnë një nga detyrimet e maahorancës për përmbushjen e kritereve që vendi të marrë statusin e kandidatit në BE.
Sipas kreut të qeverisë projektligji “Për shërbimin civil” konsolidon më tej shërbimin, dhe se qeveria ka futur aty dhe nene që e ndajnë shërbimin civil nga politika, sipas shembullit të shteteve demokratike perëndimore. Edhe për disa vite, qeveria synon që ta mbajë shërbimin civil jopartiak dhe larg fushatave zgjedhore.
Dy projektligjet, caktojnë kriteret e rekrutimit të punonjësve të administratës mbi bazën e meritave profesionale, duke u hapur dyert të gjithë studiuesve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që të japin ndihmesën e tyre. “Shërbimi civil” dhe “Administrata publike” janë dy draftet që i bashkohen në parlament projektligjit tjetër të rëndësishëm “Për Gjykatën e Lartë”, i cili plotëson dhe një nga 12 rekomandimet e Brukselit. Ky projektligj pritet të miratohet në seancë plenare gjatë kësaj jave, ndërsa nesër është parashikuar kalimi nen për nen i tij në komisionin e Ligjeve. Pas miratimit në Kuvend, në seancën e fundit (18 shtator), të ligjit për heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve, ditët e mbetura, deri në tetor kur dhe do të publikohet raport-progresi i KE-së për Shqipërinë, kërkojnë angazhimin e parlamentarëve në miratimin e drafteve të mësipërme, që janë të rëndësishëm për marrjen e statusit të kandidatit në BE, i cili deri më tani është refuzuar dy herë për shkak të situatës politike.