E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, tre grupe drejt shkrirjes

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkon rideklarim të deputetëve për grupet parlamentare në të cilën bëjnë pjesë.

BLEDAR HOTI

Edhe pse kjo procedurë ka kaluar sipas Rregullores, kryeparlamentarja Topalli kërkoi në seancën e mbrëmshme rideklarimin nga ana e deputetëve se në cilin grup parlamentar do të aderojnë. "I bëj thirrje kryetarëve të partive politike që të sjellin listat me emrat e deputetëve të grupeve të tyre parlamentare. I kërkoj deputetëve të depozitojnë deklaratat e tyre se në cilin grup do të bëjnë pjesë. Kjo pasi unë vazhdoj të kem përpara listën e vjetër të grupeve parlamentare, por ka grupe që nuk e kanë numrin e duhur prej shtatë anëtarëve", deklaroi Topalli. Në bazë të dhënave mësohet se, grupet me probleme janë tre gjithsej, dy prej të cilave i përkasin opozitës dhe një, maxhorancës parlamentare. Bëhet fjalë për grupin parlamentar "Qendra Liberaldemokrate" e Neritan Cekës së PAD-së. Në sitin zyrtar të Parlamentit në internet figurojnë që në këtë grup përveç Cekës, bëjnë pjesë deputetët Pirro Lutaj i PAD-së, Qemal Minxhozi i PS-së, Bukurosh Stafa i pavarur dhe Fatmir Xhindi i PS-së. Në një kohë që për formimin e një grupi parlamentar duhet një numër prej shtatë deputetësh. Në nenin 15 të Rregullores theksohet se, "për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh dhe se çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar mund t'i bashkohet një grupi tjetër vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit". Një tjetër grup që mund të ketë probleme është dhe ai PSD-së, pasi deputeti Pilo Keri ka prej mëse gjashtë muajsh që i është bashkangjitur grupit më të madh të opozitës, të socialistëve. Kjo bën që grupi i PSD-së të mbesë vetëm me gjashtë vetë gjithsej, pas largimit të Kerit në grupin e PS-së. Aktualisht ky grup i mbetet të përfaqësohej vetëm me Gjinushin, Bejtaj, Kola, Divjaka, Musabelliu dhe Çuli. Grupi i tretë i maxhorancës është "Qendra Demokrate", që drejtohet nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në sitin e parlamentin ky grup figuron me gjashtë deputetë. Emrat e tjerë janë Leonard Solis, Spiro Peçi, Mehmet Hoxha, Mehmet Xheka dhe Aurel Bylykbashi. Tre deputetët e fundit janë të PD-së, por i janë bashkëngjitur aleatit të tyre në qeveri. Në pikën 3 të nenit 15 përcaktohet se, "Kur numri i deputetëve të një grupi parlamentar bie nën numrin e parashikuar, nga pika 2 e këtij neni, grupi pushon së ekzistuari". Pra, nëse nuk arrihet numri magjik shtatë, atëherë nuk mund të ketë një grup parlamentar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›