E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, dita e 5 Majit kujtim edhe për UÇK

Presidenti Bamir Topi ka bërë dje homazhe në varrezat "Dëshmorët e Kombit".

Pasi ka vendosur një kurorë me lule, kreu i shtetit tha se kjo ditë është simbolikë e vetëmohimit për interesat e Kombit. "Natyrisht, kjo ditë është një ditë e shënuar, është një simbolikë e qëndresës dhe e vetëmohimit për interesa të mëdha kombëtare. Kjo është arsyeja që ne e respektojmë shumë këtë ditë, të gjithë së bashku për të projektuar një Shqipëri moderne, e cila ngrihet në radhë të parë mbi sakrificat e këtyre njerëzve që nderojmë sot", është shprehur Presidenti Topi gjatë një prononcimi për mediat e pranishme. Më pas, Presidenti Topi bëri vizita në familjen e martirit të demokracisë, Azem Hajdari, në familjen e dëshmorit të rënë në luftë kundër pushtuesve fashistë më 7 prill 1939, Mujo Ulqinakut dhe në familjen e Skerdilajd Llagamit, i rënë gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, duke qenë një nga luftëtarët e UÇK-së. "Në bashkëbisedim me familjarët e dëshmorëve, Presidenti Topi vlerësoi aktin e pashembullt të sakrifikimit sublim për liri e për atdhe, dhe u shpreh se duke përkujtuar veprën e tyre heroike mbahet gjallë jo vetëm kujtimi i martirëve, të cilët nuk kursyen as jetën për lirinë e vendit, por edhe ngrihen në piedestal sakrificat dhe vlerat e atdhedashurisë e dinjitetit njerëzor të kombit shqiptar", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›