Kuvend, zv/kryeministri Ilir Meta: Opozita kërkon të rrëzojë qeverinë me përmbytje

Numri 2 i qeverisë deklaroi sot në seancë se Partia Socialiste po bën politikë me fatkeqësinë natyrore në Shkodër dhe se është e dëshpëruar se nuk pati viktima nga përmbytjet në veri-perëndim
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i ekonomisë Ilir Meta ka deklaruar se opozita është e dëshpëruar se nuk pati viktima në përmbytjet në Shkodër. Duke folur në seancën pleanare ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, theksoi se opozita po kërkon që ta përdorë fatkeqësinë në Shkodër për të dëmtuar qeverinë. Ai gjithashtu theksoi se opozita po mashtron qytetarët se nuk është menaxhuar mirë kaskada e Drinit ndërkohë që situata është mirëmenaxhuar. Sipas tij e gjithë kjo propagandë që po bëhet nga opozita bëhet për qëllime politike. “Ju nuk e rrëzuat dot qeverinë me kutitë dhe tani kërkoni që ta rrëzoni qeverinë nga përmbytjet”- theksoi Meta duke shtuar se opozita mund të ngrejë një komision hetimor për menaxhimin e digave.
...