E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Do i përgjigjem fortunës së akuzave- Marti të faktojë pretendimet, në të kundërt do ngre padi

16-12-2010 / Gazeta 55

- Reagimi i parë publik i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi


- Akuzat e raporterit të KiE për kryeministrin Thaçi, deputeti Harasani thotë se janë të ndikuara nga qarqe serbe


PDU, Idrizi: Raporti me përmbajtje antikombëtare, fyen shqiptarët


Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi do të padisë deputetin zviceran, Dick Marti, i cili, në një raport të Këshillit të Europës e akuzon Thaçin për përfshirje në trafik armësh, droge e organesh, ndërsa komiteti parlamentar i Asamblesë së Këshillit të Europës e ka miratuar mes kundërshtish këtë raport. Lajmi për përgatitjen e padisë është bërë i ditur nga rrjeti televiziv, Fox News, i cili i refefohet një burimi pranë kryeministrit Thaçi, që ka preferuar të mbetet anonim. Sipas Fox News, kryeministri Thaçi po planifikon ngritjen e një padie dhe tashmë ka kontaktuar avokatët e tij për këtë çështje. Por paralelisht me bujën mediatike që po bën raporti i Dick Marty, ai po ngre mjaft pikëpyetje edhe mbi vërtetësinë e akuzave. Që nga Prishtina e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, autoritetet kërkojnë fakte. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Filip Krouëli, tha para gazetarëve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë paraqitjen e provave. Edhe Euleksi në Prishtinë ka kërkuar prova. Teksa ka shprehur vullnetin për të hetuar mbi akuzat e ngritura në raportin e Dick Marty-t, zëdhënësi Karin Limdal, tha se Euleksi inkurajon cilindo që ka prova për t’i paraqitur ato pranë autoriteteve përkatëse. Hetuesit e Euleks kanë kërkuar më shumë fakte përpara se të nisin hetimet. Në raportin e zviceranit Dick Marty, thuhet se për trafikun e organeve është përdorur edhe një klinikë në Fushë – Krujë, por zhduket çuditshëm ajo që u quajt si Shtëpia e Verdhë, një ndërtesë dy katëshe në një fshat të Burrelit, ku sipas ish –prokurores Karla del Ponte, kryhej transplanti i paligjshëm i organeve të serbëve, nga pjesëtarë të UÇK –së.


Andis Harasani


Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani pritet të kërkojë një qëndrim zyrtar nga Parlamenti lidhur me akuzat ndaj kryeministrit Hashim Thaçi, për trafik organesh dhe droge si dhe mbështetjen në këtë trafik nga pala shqiptare. Harasani tha se “personalisht mendoj se është patolerueshme të dalin akuza të tilla”. “Këto akuza bëhën në një kohë kur Thaçi ka fituar zgjedhjet, më bëjnë të mendoj se këto behën në bashkëpunim me qarqe serbe”- tha Harasani. Ai bëri të ditur se do të kërkoj në Parlament të mbahet një qëndrim zyrtar për këto akuza. Madje deklaroi se një kërkesë të tillë do t’ja bëjë edhe deputeti Majko, i cili në kohën kur ishte Kryeministër i Shqipërisë, ka dhënë një ndihmesë të madhe për Kosovën.


PDU, Idrizi: Raporti me përmbajtje antikombëtare, fyen shqiptarët/Kryetar i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi deklaroi sot në Kuvend se raporti i hartuar nga anëtari i KE-së, Dik Marti është antishqiptar, i frymëzuar nga Beogradi dhe pa fakte ku të bazohet, duke u kthyer në mitomani, duke ftuar të gjithë që të reagojnë ndaj kësaj sajese. “Me cilësinë e anëtarit të Asamblesë së Këshillit të Europës, si Kryetar i një partie si Partia për Drejtësi dhe Unitet, që ka çështjen kombëtare në themel të saj, unë e denoncoj raportin, si raport me frymëzim politik, me qasje sensacionale, i pathemeltë, dhe antishqiptar. Zoti Marti madje është i njohur për qëndrime të tilla më parë, në cilësi të tjera”- tha Idrizi. Ai u shpreh se në raport ka shumë gjëra anti-shqiptare dhe se duhet një ragim i të gjithëve. “Në këtë raport prej mitomani ka shumëçka antishqiptare. Ndaj reagimi ndaj tij është gjëja e duhur që mund të bëjmë. Reagoi dhe zoti Tadiç, me njëlloj kujdesi, sepse do të kuptohej qartë sintonia serbe me raportin e Martit, ndaj këtë duhet ta bëjmë dhe ne. Unë besoj fuqimisht se Këshilli i Europës do t’a hedhë poshtë këtë krijim, këtë fabrikim pervers dhe antishqiptar, që nuk fyen Hashim Thaçin, apo Qeverinë e Kosovës, por mbarë kombin tonë”- tha Idrizi. Ai vuri në dukje se raporti është një konspiracion i gatuar në guzhinën serbe, pa fakte dhe pa prova, që ka si qëllim të vetëm vendosjen në pozitë të vështirë të delegacionit shqiptar përpara bisedimeve Kosovë-Serbi. “Ky raport kundër kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, luftës çlirimtare që ai drejtoi bashkë me shokët e tij, nuk është vetëm kundër tyre, por ndaj të gjithë ne. Ai është shprehje e një konspiracioni të vazhdueshëm të zotit Marti kundër shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve si komb në përgjithësi. Në fakt nuk ka qenë konspiracion vetëm i tij, por dhe i zonjës Karla Del Ponte, me të cilën, ai ka bashkëpunuar në cilësinë e prokurorit. Ky konspiracion mbështetet mbi një themel të dobët siç është shpikja e ish- hetueses së Gjykatës së Hagës për Krime Lufte, Karla Del Ponte, për ekzistencën e të ashtuquajturës Shtëpi e Verdhë në Veri të Shqipërisë”- tha më tej kreu i PDU, Shpëtim Idrizi gjatë fjalës së tij në Kuvend.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›