E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi: Probleme me dhënien e gradave në Ushtri

Luis Tanushi

Problematika e dhënies së gradave në ushtri u shfaq dje në seancën dëgjimore që ministri i Mbrojtjes, Arben Imami kishte me deputetët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Deputetë akuzuan se në krye të ushtrisë shqiptare janë vendosur njerëz që nuk e meritojnë të qëndrojnë në detyrë dhe se e vetmja meritë që kanë janë bindjet partiake. Kjo u pranua edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Luan Skuqi, i cili tha se të qenit anëtar i partisë është kriter favorizues në marrjen e gradave në ushtri. Por edhe ministri i Mbrojtjes Imami pranoi problematikën e dhënies së gradave dhe të karrierës në ushtrinë shqiptare. Sipas tij, në jo pak raste komisionet e vlerësimit të karrierës së ushtarakëve kanë gabuar duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e ministrit dhe të Shefit të Shtabit për vlerësimin real të kandidatëve.

Të flasim hapur, është e vërtetë që kur është bërë komisioni i gradave të gjeneralëve vendosi grada në mënyrë të paarsyeshme. Dhe kur një komision vendos në mënyrë të paarsyeshme, çdo kryeministër, çdo ministër, çdo titullar shteti, edhe presidenti është i detyruar të bëjë balancat e nevojshme. Unë në të gjithë këto dy vjetët kur kam pasur ndonjë rast flagrant, ose kur kam pasur ndonjë informacion kam ndërhyrë në çështjet e drejtpërdrejta të emërimeve apo gradave apo të kurseve. Fakti është që komisionet, po ju them edhe këtë gjë, një bisedë që kamë bërë me shefin e shtabit dje, komision aktual ka dhënë nota që janë në diferencë më tepër 2 për lidership për disa oficerë. Kam thënë të kthehet prapa, e nëse ata nuk do ta bëjnë, do të krijojmë një komision të ri, tha ministri.

Anëtarët e opozitës e cilësuan të pafalshme gjendjen aktuale të dhënies së gradave, të cilat, sipas tyre kanë dobësuar ushtrinë dhe kanë ngjallur pakënaqësi në radhët e ushtarakëve. Është shumë prezente keni krijuar problem mes ushtarakësh. Ju thoni se komisioni ka bërë vlerësime jo reale, kjo është e pafalshme kjo që thoni ju. Këto që nuk i kanë marrë në konsideratë sot, pra anëtarë të komisionit e kemi shef të shtabit të Përgjithshëm sot, tha Pirro Lutaj. Dhënie e kompetencave Shefit të Shtabit për të korrigjuar Komisionet e Vlerësimit të karrierës së Ushtarakëve duket se është bërë vërtet një problem madhor pasi në jo pak raste ka ndryshuar renditja duke i dhënë grada edhe kandidatëve që kanë dalë tepër dobët. Sipas deputetëve, shembulli konkret është ai i Kolonel Perikli Koliqit, i cili ndonëse fitoi më shumë pikë nga kandidatët e tjerë duke u renditur i pari, nuk mori gradën e gjeneralit duke i hapur rrugë atyre që vinin nga poshtë listës.

Në lidhje me akuzat e bëra nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe një grup ushtarësh se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi, është i përzierë në afera korruptive, ministri Imami nuk pranoi të përgjigjej. Ai nuk komentoi as çështjen e helikopterëve, edhe një skandal i dalë nga kabllogramet. Nuk marr përsipër të flas për Ëikelaks, as SHBA nuk flasin për këtë, nuk marr guximin të flas për këtë. Helikopterëve mund të ju them se ka qenë një procedurë shumë e rregullt. Nuk ia jam shmangur asnjë procedure, jam i gatshëm,- tha Imami.

Drafti, Shërbimi Informativ i Ushtrisë nën vartësinë e qeverisë

Mazhoranca dhe opozita debatuan dje lidhur me kompetencat e Shërbimit Informativ të Ushtrisë duke akuzuar qeverinë se po kërkon të vërë nën kontroll shërbimin. Duke replikuar me Ministrin Imami, deputetët e opozitës u shprehën se drafti i ri e kthen Shërbimin Informativ Ushtarak në një drejtori brenda ministrisë, duke rrezikuar humbjen e pavarësisë. Pasi u tërhoq nga ideja e vendosjes së Shërbimit Informativ Shtetëror nën vartësinë e qeverisë, Berisha ka gjetur një mënyrë të re për të pasur shërbimin e tij duke shfrytëzuar atë ushtarak.

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni ngriti akuzoi qeverinë për mungesë transparence në hartimin e draftit të ri. Sipas tij, projekti i ri duhet të hartohet në bashkëpunim me organizmat ndërkombëtarë dhe të jetë në përputhje me kufijtë kushtetues. Shqetësimi që ngrita unë dhe kërkesën për rikonfirmon nëse ka një draft ose jo lidhet me një deklarim timin me shqetësimin e mirë që SHIU të jetë brenda kufijve kushtetues. Shpresojmë që ai material, apo ai draft që po përgatisin këta, të jetë brenda këtyre dhe të diskutohet me aleatët dhe me ne si komision për të parë që ky ligj është brenda kuadrit kushtetues,- tha Gjoni. Ministri Imami i shpjegoi anëtarëve të këtij komisioni qëllimin dhe synimin që ka Ministria e Mbrojtjes në drejtimin e ristrukturimi të këtij dikasteri, duke e cilësuar nevojën për ndryshim si një detyrim ndaj Aleancës.

SHIU ka kaluar nëpër një proces të vazhdueshëm transformimi, i cili ka konsistuar në ristrukturimin organizativ të tij, modernizimin e kapaciteteve njerëzore dhe materiale dhe rritjen e aftësive operacionale. Pjesë e kësaj reforme ishte edhe Drejtoria J-2 në Shtabin e Përgjithshëm, dhe Qendra e Radio-zbulimit. Qëllimi i ndërmarrjes së kësaj reforme ka qenë: transformimi i SHIU-t si strukturë inteligjence në nivelet e standardeve të NATO-s, u shpreh ministri i Mbrojtjes. Imami u tregua i rezervuar edhe për lidhjet e Shërbimit Informativ Ushtarak me ngjarjet e 21 janarit duke iu shmangur akuzave të opozitës.

Deputetët Lutaj dhe Dogjani akuzuan se SHIU ka dalë nga funksioni i tij kushtetues me marrjen pjesë në ngjarjet e 21 janarit. Edhe unë po të them se jam plotësisht dakord me atë çfarë ka thënë kryeministri, por kjo nuk nënkupton implikim të SHIU-t. Po doni fakte flasin më vonë pa median. Nuk e implikon në asnjë gjë jashtë forcës së armatosur. Nëse jeni dakord ju dhe maxhoranca unë rri dhe e zhvillojmë mbledhjen e dyerve të mbyllura, u mbrojt kreu i dikasterit të Ministrisë së Mbrojtjes. Frika se kompetencat e Shërbimit Ushtarak mund të rriten me draftin e ri. Ky draft kapërcen në maksimum të gjitha kompetencat që mendohet se duhet të ketë ky shërbim dhe e tejkalon disafish edhe Shërbimin Informativ Shtetëror. Për më tepër që vetë struktura e këtij shërbimi aktualisht për shkak të ndryshimeve strukturore që kanë ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes ka përfshirë në vetvete edhe Zbulimin e Ushtrisë dhe Inteligjencën e Sinjaleve apo Radiondërlidhjen,- tha Gjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›