Nis punën ministri Turku. Pollo: Të ndryshohet kushtetuta, procedura e emërimit zgjat shumë

Ardian Turku është betuar sot para presidentit të Republikës Bamir Topi. Që prej ditës së sotme, Turku do të jetë zyrtarisht në krye të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ceremonia e betimit të ministrit Turku është bërë në pallatin e brigadave. Posti i kësaj ministrie mbeti bosh, pas shkarkimit të ish-ministrit Ylli Pango, i akuzuar nga mediat për skandale seksuale, duke shfrytëzuar detyrën e ministrit. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit nga Sekretari i Përgjithshëm i institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, me dorë në Kushtetutën e Shqipërisë, z. Turku bëri betimin përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili, duke i dorëzuar dekretin Ministrit të ri të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, i shprehu urimet më të mira për të përmbushur me sukses detyrën e lartë. Turku do të drejtojë Ministrinë e Kulturës, të paktën deri në fund të qershorit dhe pas zgjedhjeve, gjersa të krijohet qeveria e re.
Ndërkohë, disa minuta më vonë, Zëvendëskryeministri z. Genc Pollo e prezantoi Ministrin Ardian Turku, para personelit të Ministrisë së Turizmit, Rinisë dhe Sporteve duke theksuar se z. Turku ishte spikatur për vizione të reja, inisiativë reformuese e aftesi menaxhuese në detyrat e tij të mëparshme si titullar i qeverisjes vendore në Elbasan dhe se ai kishte besim të plotë se z. Turku do të vazhdonte punët e mira dhe do të korrigjonte gjërat e nevojshme në krye të ministrisë. Pas cermonise z. Pollo u deklaroi mediave se kohëzgjatja e tepërt e procesit derisa ministri mori efektivisht detyrën përbën një anomali që duhet korrigjuar. “Është e pakuptimtë që një ministër që është caktuar në detyrë me datë 5 mars, të ulet në skrivaninë e tij vetëm me 17 mars. Kjo rrjedh nga deformimet që i janë bërë sistemit kushtetues para 7-8 vjetesh dhe lipset që aktorët politikë të shqyrtojnë legjislacionin për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”.