Kuvendi bisedon të hënën për bisedimet
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë të rregullt, të hënën, me ç’rast do të debatohet për bisedimet Kosovë-Serbi, sipas kërkesës së Qeverisë.
Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila kishte kërkuar më herët mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, nuk ka arritur t’i grumbullojë 40 nënshkrime që seanca të mbahej sot.
“Ne kemi pritur që pasi ishte një kërkesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ që do t’i bëjë 40 nënshkrime për t’u mbajtur seanca e debatit sot, por pasi kjo nuk ndodhi, seanca e debatit do të mbahet të hënën në orën 10 sipas kërkesës së Qeverisë”, ka theksuar Krasniqi.
Në këtë seancë, pritet që nga debati i zhvilluar të dalë edhe një dokument apo rezolutë, e cila do të përcaktojë kornizat se çka mund të bisedohet e çka nuk mund të shtrohet në tavolinën e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.