E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi dënon aktin ndaj ushtarakëve të SHBA

PRISHTINË- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shpreh indinjatën e tij të thellë për krimin e shëmtuar të shtetasit të Kosovës ndaj ushtarakëve të SHBA-së. Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi, në emër të tij dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të thella institucioneve të SHBA-së dhe familjeve të oficerëve të vrarë në Frankfurt, ndërsa ushtarakëve të plagosur u uron shërim të shpejtë.
Kryeparlamentari Krasniqi garanton institucionet dhe popullin amerikan për respektin dhe dashurinë e madhe që ka populli i Kosovës për SHBA-në dhe qytetarët e saj.
Kosova u është mirënjohëse përjetësisht shtetit dhe popullit amerikan për kontributin e madh që kanë dhënë për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, theksohet në komunikatën e dhënë sot nga Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.
Akti i rëndë që ka ndodhur dje pasdite në aeroportin e Frankfurtit është dënuar fuqishëm në deklaratat e mbrëmshme nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës, si dhe nga subjekte politike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›