Drogë drejt Kosovës, biznesmeni financonte trafikimin

Droga e sekuestruar
Dashamir Biçaku /Flamur Vezaj
Tiranë- Goditet grupi i trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt Kosovës, ndërsa destinacioni dyshohet të ketë qenë vendet Ballkanit Verior. Agron Hyseni, një biznesmen nga Tirana, pronar i disa subjekteve tregtare dhe zyrash konsulence juridike, u arrestua nga Zyra e Antidrogës me Urdhër të Prokurorisë Së Krimeve të Rënda, i dyshuar si organizator, financues dhe drejtues i rrjetit të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Kosovës. Shkëlqim Leka, 34vjeç, nga Tirana, shofer i një kamioni Volvo, në të cilin u bllokua droga, u arrestua nga policia bashkë me Gerti Goxhajn, 29 vjeç, nipi i bizenesmenit Hyseni. Po ashtu policia arrestoi edhe Kujtim Lekën 35 vjeç, Altin Imamin 24 vjeç dhe Erjon Hoxhën, 32 vjeç të gjithë nga Tirana. Të gjithë të arrestuarit akuzohen nga policia për organizim dhe trafikim të lëndëve narkotike, në bashkëpunim. Ata u kapën mbrëmjen e së hënës në pikën e kalimit kufitar të Morinës në drejtim të Kosovës. Ata u kapën pasi në kamionin e tyre të markës Volvo, me targa TR 1784 P, i drejtuar nga Shkëlqim Leka. Policia tha se në total bllokoi 320 kilogramë marijuanë, 4 automjete, një pistoletë Glock me disa fishekë që e kishte Gerti Goxhaj.
Veç tyre, policia tha se u shpall në kërkim edhe një person tjetër nga Kosova, identiteti dhe të dhëna për të cilin, policia nuk i bëri të ditura për shkak të hetimit të çështjes. Gjithashtu burimet thanë se në hetim ka edhe persona të tjerë, emrat dhe rolet e të cilëve, nuk bëhen të ditura. Pak ditë më parë, njësia e Antidrogës e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nisi të kryente në terren vëzhgimet, fotografimet e në tërësi mbajtjen në mbikëqyrje të grupit të personave të arrestuar mbrëmjen e të hënës në pikën e kalimit kufitar në Morinë. Të dielën në mesditë, nga vëzhgimet e kryera, policia konfirmoi se malli kishte nisur të ngarkohej në një kamion të markës Volvo, me targa TR 1784 P. Në mjet ishte formuar një tavan në formë dyfishe e mbuluar me fibër kartoni dhe me një sipërfaqe të konsiderueshme plasmasi e barabartë edhe me sipërfaqen e tavanit të kamionit.
Fibra e kartonit, ishte realizuar në mënyrë të tillë e forcuar me ristela druri me qëllim që të mbante dhe siguronte një sasi të mirë marijuanë cila po ngarkohej në të. Plasmasi sipas hetuesve, kishte qëllim shmangien e erës së marijuanës me qëllim neutralizimin e qenve nuhatës antidrogë në kufi. Shtresa e mësipërme sipas hetuesve kapte trashësinë e 20 centimetrave dhe se në të mund të futej një sasi e majme marijuanë. Lënda narkotike, mësohet se është ngarkuar të dielën në mesditë deri në mbrëmje në një pikë servisi në Vorë, ndërsa më pas ajo është izoluar mirë në mënyrë estetike që të mos binte në sytë e doganierëve policëve apo kontrollorëve në kufirin e Morinës.
Arrestimet mbrëmjen e së hënës në Kukës
Pasditen e së hënës, pesë nga gjashtë të arrestuarit, u nisën në drejtim të Kukësit, me qëllim për të kaluar në Kosovë. Sapo kamioni i shoqëruar, nga një eskortë në formë autokolone i kryesuar nga një prej mjeteve të bllokuara mbërriti në Morinë, policia ndaloi drejtuesin e një e tij, Shkëlqim Lekën, ndërsa më parë kishte ndaluar një drejtues tjetër të një prej mjeteve eksportuese, i cili tentoi tiu ikte oficerëve të policisë kur ata e i kërkuan të ndalonte. Kamioni sipas burimeve të policisë kishte qenë në një distancë prej rreth 400 metrash larg makinës së parë ndërsa pas tij qëndronin dy automjetet e tjera. Pas ndalimit të tyre, policia arrestoi edhe personat e tjerë duke bllokuar edhe mjetet dhe objekte të tjera që sipas policisë janë në interes të hetimit dhe janë në cilësinë e provës materiale.
Të arrestuar
1.Shkëlqim Qazim Leka, 34vjeç, banues në Tiranë.
2.Kujtim Qazim Leka, 35 vjeç, banues në Tiranë
3.Agron Laver Hyseni, 43 vjeç, banues në Tiranë
4.Gerti Gëzim Goxhaj, 29 vjeç, banues në Tiranë
5.Altin Osman Imami, 24 vjeç, banues në Tiranë
6.Erjon Astrit Hoxha, 32 vjeç, banues në Tiranë
Bllokuar në cilësinë e provës materiale
320 kg kanabis sativa
1 kamion i markës Volvo me targe TR 1784 P,
1 veturë Mercedez- Benz ML e vitit 2011 me targa AA 252 CZ,
1 Autoveturë Mercedez- Benz 220 me targa TR 4079 S,
1 Mercedez- Benz S500 e vitit 2010 me targa AA 009 DC.
8 aparate të telefonisë së lëvizshme
1 arme zjarri pistoletë Glock me 17 fishekë, si dhe 250 euro.
Biznesmeni Hyseni, organizator i trafikut të drogës
Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë, zbardh rolet e secilit nga gjashtë të dyshuarit e arrestuar mbrëmjen e së Hënës, pranë pikës kufitare të Morinit në Kukës, ku u sekuestruan një sasi prej 320 kg hashash të fshehur në tavanin e një kamioni transportues. Sipas të dhënave paraprake të organit të akuzës, biznesmeni nga Vlora Agron Hyseni dyshohet se është organizatori i kësaj linje trafiku, që funksiononte prej kohësh nga jugu i Shqipërisë, drejt Kosovës dhe më pas duke shfrytëzuar rrugët tokësore e kalonin hashashin drejt vendeve perëndimore. Nga hetimet paraprake të kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me agjentët e Antidrogës së Policisë rezulton se shtetasi Agron Hyseni ishte organizatori i kësaj linje trafiku, i cili bënte blerjen e mallit, siguronte transportin, paguante korrierin dhe e dorëzonte tek bashkëpunëtorët e tij në Kosovë-thuhet nga prokuroria.
Këto veprime dhe të tjera, dyshohet se Hyseni i kryente me ndihmën e nipit të tij, shtetasit të arrestuar Gerti Goxhaj, në emër të cilit figuron edhe një shoqëri tregtare. Sipas akuzës, Hyseni kishte në pronësi një servisi makinash në Vorë, të cilin e përdorte për paketimin e lëndës narkotike në mjetet e transportit. Këtë paketim, sipas prokurorisë, e bënin shtetasit e dyshuar Kujtim Leka dhe Altin Imami. Pas paketimit të hashashit, mjetin e merrte shtetasi Shkëlqim Leka (vëllai i Kujtim Lekës) dhe nisej drejt pikës kufitare të Morinit në Kukës. Gjatë veprimeve të kryera, rezulton se kamionin e kanë shoqëruar të gjithë të dyshuarit deri në momentin e arrestimit-thuhet nga prokuroria. I vetmi që i ka shpëtuar arrestimit, është një shtetas kosovar i cili është identifikuar, por, që ka mundur të kaloi kufirin vetëm pak minuta para se të ndërhyjë policia për arrestimin e të dyshuarve.
Hashashi blihej në fshatrat e jugut, sillej në servis në Vorë, paketohej në makinat dhe mjetet e tonazhit të rëndë dhe më pas kalonte në Kosovë. Atje, paketohej në makina të tjera të cilat niseshin drejt vendeve perëndimore. Dyshohet se kjo rrugë, është bërë disa herë nga të dyshuarit, për të cilët po kryhet verifikimi tashmë. Ndërsa, i dyshuari Erjon Hoxha, mendohet se nuk ka pasur dijeni për sasinë e drogës, çka pritet lirimi i tij nga Prokuroria në ditët në vazhdim.
BOX
Bizneset e Hysenit
Sipas Qendrës Kombëtare e Regjistrimit (QKR) të dyshuarit Agron Hyseni dhe nipi i tij, Gerti Goxhaj, rezultojnë me biznese të ndryshme. Sipas këtyre të dhënave, dyshohet se Hyseni ka në pronësi disa biznese si person fizik dhe një shoqëri ndërtimi e transportesh në Vlorë dhe Tiranë. Ndërsa, nipi i tij Goxhaj, rezulton se ka një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku afron një sërë shërbimesh, edhe atë të konsulencave për biznesin.