E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten shpenzimet për rimbursimin, fondi i pamjaftueshëm

 

Sipas ISKSH-së duhet të rritet masa e kontributeve. Shefat e QSUT-së: Skema nuk është efikase, duhet të rritet numri i kontribuuesve

Shpenzimet për rimbursimin e barnave kanë arritur në nivele të larta duke rrezikuar seriozisht që fondi i vënë në dispozicion për këtë vit, të mos jetë i mjaftueshëm. Shtimi i sëmundshmërisë dhe përdorimi mjaft i gjerë i barnave janë shkaqet kryesore që kanë sjellë këto shpenzime. Alarmin e ka dhënë Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor duke theksuar se tremujori i parë i këtij viti shënoi shpenzime stratosferë. Të ndodhur përballë kësaj situate, ISKSH thekson se duhet të merret parasysh propozimi i tyre për rritjen e masës së kontributit të Sigurimeve Shëndetësore, nga 3.4% në 7%. Ndërsa shefat e shërbimit të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" kanë pohuar për gazetën "Shekulli" se duhet të ndërtohen politika të qarta për sigurimet shëndetësore pasi skema aktuale jo vetëm që nuk është efikase, por ka ndikuar edhe në futjen në kolaps të spitaleve. Ndërkohë drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Mëhill Gecaj e kundërshton propozimin për rritjen e masës së kontributeve, duke theksuar se ISKSH-ja duhet të marrë masa që të rrisë numrin e personave që duhet të derdhin sigurimet.

Shpenzimet

Vetëm në muajt e parë të vitit, shpenzimet për rimbursimin kanë kapërcyer shifrën 1 miliardë e 38 milionë lekë dhe nëse do të vazhdohet më këtë ritëm, fondi prej 2.4 miliardë lekë për gjithë vitin do të jetë i pamjaftueshëm. Kështu, burime pranë ISKSH-së pohojnë se është e pamundur të bëhet një parashikim i saktë për shpenzimet që do të bëhen në muajt në vijim, por shpenzimet e bëra deri tani i kanë trembur ata. Tendenca, sipas specialistëve, është në rritje, çka do të thotë se shpenzimet e rimbursimit janë në nivelet e tyre limit, madje mund ta kapërcejnë atë. "Kjo ndodh ende pa hyrë në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2008. Shpenzimet janë rritur nga shtimi i sëmundshmërisë, rritja e numrit të pacientëve dhe përdorimi mjaft i gjerë i barnave",- pohojnë specialistët e ISKSH-së.

Kontribuuesit

Të rritet numri i kontribuuesve të Sigurimeve Shëndetësore, në mënyrë që skema të jetë më efikase dhe në ndihmë të pacientëve. Kështu shprehen profesorët e QSUT-së, të cilët theksojnë se fakti që spitalet nuk janë në skemë, ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e dobët të shërbimit që marrin pacientët. "Më pak se 30 për qind e popullsisë paguajnë sigurime ndërkohë që të gjithë kërkojnë shërbim shëndetësor"- pohon doktor Alketa Koroshi. Të njëjtin mendim me të ndajnë edhe profesor Mustafa Xhani dhe Nestor Thereska, të cilët shpjegojnë se pasojat e kësaj skeme po i vuajnë pikërisht ata që paguajnë sigurimet shëndetësore, pasi marrin shërbim në spitale njësoj si ata që nuk paguajnë. "Me këtë përqindje sigurimesh që derdhen aktualisht, nuk mund të mbahet as sistemi parësor dhe as sistemi spitalor. Ka ardhur koha për ata që nuk paguajnë sigurimet, të mos iu rimbursohen shërbimet shëndetësore, në të kundërt, kurrë nuk do të kemi një sistem shëndetësor të shëndoshë dhe në funksion të pacientëve",- pohon Nestor Thereska.

BB: Shqiptarët, të parët në rajon për konsumimin e barnave

Tendenca e shqiptarëve është t'i zgjidhin problemet shëndetësore më së shumti përmes medikamenteve ndaj dhe konsiderohen si populli që konsumon më shumë barna në rajon. Ky është përfundimi i një studimi të Bankës Botërore, që thekson se ky fenomen është tepër i gabuar jo vetëm për shëndetin e popullatës, por edhe për shpenzimet. Banka Botërore, bën një krahasim lidhur me shpenzimet për barnat, (përqindjen që ato zënë në shpenzimet në total për shëndetësinë) ku, krahasuar me vende si Sllovakia, Hungaria, Çekia, Japonia, Greqia, SHBA dhe Holanda, e rendit Shqipërinë ndër vendet e para për konsumim medikamentesh. "Vlerësimet e shpenzimeve farmaceutike përllogariten në 23-32 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për Kujdesin Shëndetësor në Shqipëri",- thuhet në studimin e Bankës Botërore, ku shtohet se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian për barna, është 14 për qind e totalit të fondit për Shëndetësinë.

1 miliardë e 38 milionë lekë janë shpenzuar për barnat e rimbursueshme 3-mujorin e parë të vitit

2.4 miliardë lekë është fondi i dhënë nga Qeveria për gjithë vitin, për barnat e rimbursueshme

3.4 për qind është masa e kontributeve të Sigurimeve Shëndetësore që derdhen aktualisht

7 për qind propozon Instituti i Sigurimeve Shëndetësore që të jetë masa e kontributeve që duhet të derdhen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›