E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH, rriten shpenzimet e rimbursimit të barnave

Autori i Lajmit: red.
Gjatë tremujorit të parë të 2008-ës shpenzimet për rimbursimin e barnave kanë arritur në nivele mjaft të larta. Sipas ISKSH-së shkak për këtë rritje janë bërë shtimi i sëmundshmërisë, rritja e numrit të pacientëve dhe përdorimi mjaft i gjerë i barnave. Zëdhënësja e ISKSH-së, Etiola Kola, bëri të ditur dje se shpenzimet për rimbursimin kanë kapërcyer shifren 1 miliard e 38 milionë lekë. Po sipas saj, në muajin janar janë shpenzuar 337 milionë lekë, në shkurt 346 milionë lekë dhe në mars 354 milionë lekë. Tendenca, sipas specialistëve, është në rritje çka do të thotë se shpenzimet e rimbursimit janë në nivelet e tyre limit, madje mund ta kapërcejnë atë. “Kjo ndodh ende pa hyrë në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2008. Në total shpenzimet e parashikuara për rimbursimin për këtë vit janë 2.4 miliardë lekë", - argumentoi Kola. Sëmundjet me rimbursimin më të lartë janë hipertensioni, diabeti, talasemia (kjo për shkak jo të numrit të madh të pacientëve, por të shtrenjtësisë së medikamentit), insufiçenca kardiake, astma, insufiçenca kronike e veshkave etj. Bazuar në një studim të Bankës Botërore, i cili bën një krahasim lidhur me shpenzimet që bën për barnat, vendi ynë (përqindjen që ato zënë në shpenzimet në total për shëndetësinë) krahasuar me vende si Sllovakia, Hungaria, Çekia, Japonia, Greqia, SHBA dhe Holanda, e rendit Shqipërinë ndër vendet e para për konsumim medikamentesh. Krahasimi i këtyre të dhënave tregon tendencën se Shqipëria kërkon t i zgjidhë problemet shëndetësore më së shumti përmes medikamenteve. "Vlerësimet e shpenzimeve farmaceutike përllogariten në 23-32 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për kujdesin shëndetësor në Shqipëri", thuhet në studimin e Bankës Botërore, ku shtohet se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian për barna është 14 për qind e totalit të fondit për shëndetësinë.
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›