E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, deputetët e rinj do të betohen para Bejës

Në bazë të rregullores, është deputeti më i vjetër i parlamentit që luan rolin e moderuesit në momentin e betimit të deputetëve si dhe të zgjedhjes së kryetarit të ri të parlamentit 

TIRANE-61-vjeçari Fatos Beja, deputet i Partisë Demokratike, do të jetë moderuesi i seancës së parë të legjislaturës së XVIII, në rast se Partia Socialiste do ta bojkotojë këtë seancë. Në bazë të rregullores, është deputeti më i vjetër i parlamentit që luan rolin e moderuesit në momentin e betimit të deputetëve si dhe të zgjedhjes së kryetarit të ri të parlamentit. Këto kushte i plotësonte kryeministri aktual Sali Berisha, i cili më 15 tetor të këtij viti bëhet plot 65 vjeç. Por këtë pozicion ai nuk e pranoi vetë, duke deklaruar dy ditë më parë që do t’ia linte një deputeti tjetër këtë nder të hapjes së seancës së parë parlamentare. “E di se në bazë të rregullores më takon një ofiq i tillë, por do të respektoj deri në fund ndarjen e pushteteve, prandaj kjo do t’i takojë një deputeti tjetër”, - u shpreh Berisha. Më i vjetër se Berisha nga deputetët është ish-ministri i Arsimit, Et’hem Ruka, i cili është dy vite më i vogël se kryeministri, plot 63 vjeç. Socialisti Ruka mund të mungojë në sallën e parlamentit për shkak të një deklarate të kreut të PS-së për një bojkot pa afat të parlamentit shqiptar. Prandaj radha menjëherë pas Rukës, i takon Fatos Bejës, ish-nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë.
Ai do t’u kërkojë deputetëve të pranishëm të betohen sipas formulës së betimit dhe do të kërkojë nga palët në parlament të propozojnë emrin e ri të kryetarit të Kuvendit.
Menjëherë pas shpalljes së ditës së mbledhjes së parë të këtij parlamenti, Kuvendi ka filluar me përgatitjet e tij. Pritet që në këtë seancë të jetë i pranishëm Presidenti i Republikës dhe trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›