Kuvendi diskuton për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve

Kuvendi i Kosovës shqyrton sot projektligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve dhe raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2012. Gjithashtu, ndër të tjera do të shqyrtohet edhe projektligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, ku që nga viti 2005 e deri sot kanë vdekur 89 persona dhe janë lënduar rënë 239 të tjerë.
Po ashtu, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë projektligjin për tregun e naftës dhe produkteve të naftës në Kosovë, projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Kurse, për të dytën herë pritet të shqyrtohet projektligji për transportin rrugor dhe projektrregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe raporti vjetor financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2012, raporti vjetor i punës të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2012, raporti i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2012, si dhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e tarifave vjetore për vitin 2013.
Gjithashtu, pritet të votohet edhe për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari Komisionit të Pavarur për Media. /Indeksonline/