E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi është institucion ligjvënës e jo përkujtimor

Shumë lehtë Kuvendi i Kosovës mund të mbaj seancë solemne për Slobodan Milosheviqin. Do të mjaftonte një kërkesë me 6 nënshkrime të deputetëve dhe parlamenti do të mblidhej për seancë solemne përkujtimore.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi edhe të hënën ka tërhequr vërjetjen se institucioni të cilin ai e drejton është ligjvënës e jo përkujtimor.

“Me rregulloren e Punës së Kuvendit mund të mblidhen gjashtë deputetë dhe të kërkojnë seancë solemne. Kjo çështje nuk është e definuar. Edhe një herë po them se Kuvendi është institucion ligjvënës, dhe ka për obligim ti ligjësojë aspiratat e popullit. Por, nuk është detyrë e Kuvendit që të lëshohet në këso seancash solemne. Madje, këto nuk janë as seanca solemne, por përkujtimore. Kuvendi mundë të përkujtojë ngjarje, por jo tash të lëshohet në përkujtime individësh”, tha kryetari Krasniqi, me të përfunduar mbledhja e kryesisë së Kuvendit, pas së cilës u mbajt seanca plenare për të shënuar 32-Vjetorin e rënies së atdhetarëve Tahir dhe Nebih Meha në Betejën e Prekazit të Epërm.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës që monitoron punën e legjislativit thotë se Kuvendi i Kosovës muajve të fundit është shndërruar në një institucion i cili më së paku po merr në trajtim çështjet që janë kompetencë kushtetuese e këtij institucioni.

“Mungesa e vullnetit për ti shfrytëzuar me efikasitet instrumentet e kontrollit parlamentar siç janë pyetjet dhe interpelancat parlamentare, pastaj kërkesat për raportim të rregullt të ministrave në takimet e komisioneve parlamentare, ka bërë që Kuvendi i Kosovës të zhvilloj seanca debatuese pa një përfundim konkret si dhe në raste të caktuara të shndërrohet edhe në një institucion përkujtimor”, thotë Selmanaj për Indeksonline.

Selmanaj shprehet se historia e Kosovës është përplot me ngjarje dhe momente të rëndësishme që i kanë dhënë kahje zhvillimeve dhe proceseve politike në Kosovë, por jo gjithherë duhet të diskutohen në Kuvend, pasi e largon këtë institucion nga roli dhe misioni i tij.

“Tendenca e deputetëve që secila ngjarje të nderohet me seance solemne në Kuvendin e Kosovës, e largon Kuvendin nga roli dhe misioni i tij në ushtrimin e funksioneve kushtetuese që ka si dhe e devalvon edhe vetë rëndësinë e atyre ngjarjeve”, shprehet ai.

Ish deputeti, njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka thotë se këto Seancat me karakter përkujtimorë do të duhej të mbaheshin një herë në dhjetë vite. “Këto seanca do të duhej të mbaheshin në vitet jubilare. Për shembull në ndonjë dhjetëvjetorë”, thotë Smaka.

Edhe miratimi i ligjeve që po kalon neper Kuvend, sipas Smakës janë më vakuume të shumta juridike dhe nuk po zbatohen në teren.

“Kuvendi do të duhej të merrej me miratimin e akteve ligjore të përgatitura mirë, dhe të merrej seriozisht përkitazi me aplikimin e akteve ligjore që është pikë neuralgjike në vendin tonë. Le që miratohen me mangësi, të paqarta, me vakum juridike, po në anën tjetre edhe ato nuk aplikohen. E kjo duhet të jetë çështje e Kuvendit, dhe jo çështjet që i referohen ceremonialeve”, shtoi Smaka. /M.B/ Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›