E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi hap punimet, mungon opozita

Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dje siparin e legjislaturës së re. Marrin pjesë ambasadorë dhe përfaqësues të komunitetit fetar


Deputetët pajisen me dosje, në brendësi të së cilës, përveç tekstit të betimit, kanë rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.


TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dje siparin e legjislaturës së XVIII, ku ashtu siç pritej, kanë munguar 65 deputetët socialistë.


Pavarësisht kontestimeve të vazhdueshme të opozitës për legjitimitet të cunguar, në një seancë formale, Kuvendi i ri ka nisur procedurat për verifikimin e mandateve të 140 parlamentarëve të rinj, si dhe për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese.


Atmosfera


Seanca e parë e kësaj legjislature ka nisur pa ndonjë ceremoni të veçantë, por natyrisht nuk kanë munguar elementët festivë me anë të të cilëve organizatorët ishin përpjekur që të krijonin përshtypjen e një dite të rëndësishme për vendin dhe tempullin e demokracisë, por edhe si për të sfumuar sadopak boshllëkun që krijonte në sallë mungesa e opozitës.


Ashtu si edhe në kohët e lashta, në hyrje të Parlamentit ishin ndezur dy pishtarë në formën e një matësi kohe prej rëre, ndërsa për deputetët ishte shtruar tapeti i kuq. Nuk mungonin në oborrin e selisë së Parlamentit as flamujt e shumtë kombëtarë, si dhe flamuri i Bashkimit Evropian, si një simbolikë për sfidën që i pret të zgjedhurit e rinj për afrimin e vendit tonë me familjen e madhe europiane.


Ndërkohë që, si rrallëherë më parë, lozha e Kuvendit ishte mbushur me të ftuar të shumtë, duke filluar që nga personalitete shtetërore si Presidenti i Republikës Bamir Topi, ambasadorët e të gjitha vendeve mike në Tiranë (SHBA përfaqësohej nga zëvendësambasadori), krerët e komuniteteve fetare në vend, drejtues të institucioneve të pavarura, por edhe të rinj të shumtë anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.


Seanca është çelur me ekzekutimin e Himnit Kombëtar nga një kor profesionist, ndërsa deputetët ishin pajisur të gjithë me nga një dosje, në brendësi të së cilës, përveç tekstit të betimit, gjendeshin edhe rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta e Shqipërisë.


Bëhet fjalë Rregulloren dhe Kushtetutën e botuar vetëm pak muaj më parë të mbështjellë me kopertinën me ngjyrë blu. Nga ana tjetër, deputetët ishin ulur në sallë pa ndonjë rregull të përcaktuar.


Kështu, Berisha ka qëndruar në krah të deputetit Astrit Patozi në reshtin e parë, ndërsa ish-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është ulur fill pas tij në radhën e dytë.


Ndërkohë, Ilir Meta, i cili pritet të jetë dhe numri i dy i qeverisë së re, ka qëndruar i ulur në një nga rreshtat e fundit mes Lefter Kokës dhe Paulin Sterkajt. Në sallë ka qenë i pranishëm edhe deputeti i vetëm opozitar, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili është larguar edhe i pari nga salla.


Seanca


Ashtu siç edhe e përcakton Rregullorja e Kuvendit, seanca e djeshme është hapur nga një prej deputetëve më të vjetër në moshë, ministri ende në detyrë i Arsimit Fatos Beja (deputeti më i vjetër në këtë legjislaturë është Sali Berisha, por ai refuzoi publikisht të drejtonte këtë seancë).


Në fjalën e tij përshëndetëse të kësaj seance, kreu i përkohshëm i Kuvendit, Fatos Beja, pasi ka përshëndetur të ftuarit, ka uruar deputetët e rinj për mandatin e marrë, duke i ftuar ata që të punojnë sa më shumë për të justifikuar besimin e qytetarëve. "Fjala dhe vota janë kryefjala dhe kallëzuesi i veprimit parlamentar, uroj të dalim të gjithë faqebardhë në detyrat që na takojnë si deputetë.


Dëshiroj gjithashtu të uroj të gjithë të zgjedhurit për herë të parë, të kenë sukses në detyrën e nderuar të deputetit, të mbrojnë dinjitetin e të dëshmojnë me punën e tyre maturi dhe përparimin e legjislativit të Shqipërisë, të institucionit themeltar të Republikës Parlamentare", - deklaroi Fatos Beja.


Më tej, ai, duke iu referuar rregullores së Kuvendit ka hapur procedurën për ngritjen e sekretariatit të përkohshëm, ku u zgjodhën tre deputetët më të rinj në moshë Gerti Bogdani, Ledina Aliolli dhe Paulina Hoti.


Më pas, Beja ka lexuar emrat e 140 të zgjedhurve të kësaj legjislature. Beja ka vijuar procedurat për zgjedhjen e komisionit të përkohshëm të verifikimit të mandateve, duke ftuar partitë politike pjesëmarrëse në këtë seancë që të bënin propozimet konkrete.


Për shkak të mungesës së deputetëve socialistë, Kuvendi zgjodhi në përbërje të këtij komisioni vetëm 5 nga 9 anëtarë që duhet të jenë, katër me propozim të PD-së dhe një të LSI-së, dhe më konkretisht, Jemin Gjana, Mesila Doda, Osman Metalla, Eduard Halimi dhe Nasip Naço. Pas konfigurimit të këtij komisioni, Beja ka mbyllur punimet e seancës së parë për ta thirrur Kuvendin sërish sot për t'u njohur me raportin e verifikimit të mandateve.


Deputetët, komisioni verifikon mandatet

TIRANË - Komisioni i Përkohshëm i Verifikimit të Mandateve, dje, menjëherë pas zgjedhjes së tij nga Kuvendi, ka zhvilluar mbledhjen e parë duke marrë në shqyrtim numrin më të madh të mandateve të deputetëve të rinj të legjislaturës së XVIII.


Katër deputetët demokratë, Jemin Gjana, Mesila Doda, Osman Metalla, Eduard Halimi dhe ai i LSI-së Nasip Naço, të mandatuar nga Kuvendi i ri si anëtarë të këtij komisioni, janë mbledhur dje në mbrëmje pas seancës plenare në një nga sallat e komisioneve të kryesisë së këtij institucioni, për të verifikuar të gjithë dokumentacionin e paraqitur për secilin deputet.


Megjithëse, asnjëri prej anëtarëve të këtij komisioni nuk ka bërë të ditur dje numrin e deputetëve, që e kanë kaluar këtë test thuajse formal, ajo që mësohet deri tani është fakti që komisioni pritet të zhvillojë edhe një mbledhje të dytë sot, për të miratuar më pas edhe raportin, i cili do të paraqitet seancën plenare që do të mbahet po sot pasdite.


Pavarësisht se procedura e përcaktuar për t'u ndjekur është pothuajse formale, për disa raste deputetësh ajo pritet të jetë vendimtare për shkak të gjendjes së dyshimtë që ata kandiduan më 28 qershor.


Ky komision do duhet të verifikojë ligjshmërinë e mandatit të deputetëve Gerti Bogdani, Lefter Maliqi, Ndue Paluca dhe Bedri Hoxha, për të cilët opozita ka ngritur pretendime se kanë konkurruar në kundërshtim me Kushtetutën, për shkak se nuk kanë dhënë dorëheqjen nga të zgjedhurit vendorë në kohën e duhur.


Në bazë të nenit 3 të rregullores, Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›