Takimet me Ramën, Ndoka: Jemi pro komisionit hetimor
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, zbardh bisedën e zhvilluar me kryetarin e opozitës, Rama
TIRANË - Partia Demokristiane është partia e parë e djathtë që ndan të njëjtin qëndrim me PS-në, se zgjedhjet në Shqipëri nuk plotësuan standardet e kërkuara.
Pikërisht për këtë qellim, kryetari i PDK-së, Ndoka, ka filluar negociatat me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Në një deklarim për "Shekulli"-n, Ndoka ka konfirmuar bashkëpunimin e Partisë Demokristiane me Partinë Socialiste për një hetim administrativ të zgjedhjeve të 28 qershorit.
PDK-ja i ka cilësuar standardet e këtyre zgjedhjeve si të papërmbushura, duke shtuar se ka prova të pakontestueshme, që verifikojnë deformimin e rezultatit të këtyre zgjedhjeve dhe që kanë ndikuar në rezultatin negativ të kësaj partie.
Ndër të tjera, kryedemokristiani pohon se do pranojë negociatat me të gjitha ato parti, që janë pro hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, qofshin këto të majta apo të djathta.
"Ne kërkojmë të rikthejmë besimin e qytetarëve te vota përtej çdo paragjykimi."- tha Ndoka. Në takimet e zhvilluara mes kreut të PDK-së dhe kryetarit të PS-së, kryesorja mbetet krijimi i një komisioni hetimor.
Ngritja e komisionit hetimor është një ndër kushtet e vendosura nga selia rozë për hyrjen e deputetëve socialistë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky vendim i opozitës, që po kushtëzon pjesëmarrjen e saj në këtë legjislacion të ri parlamentar, përkrahet edhe nga parti të krahut të djathtë, siç është PDK-ja.
Në vijim, Ndoka tha se për çështjen e fillimit të hetimeve administrative janë zhvilluar takime të ndryshme edhe me kryetarin e LZHK-së, PSD-së e PDS-së.
Ndër të tjera, ai thekson se disa ditë pas formimit të qeverisë pritet të organizohet një takim edhe me kreun e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, me qëllim njohjen e pikëpamjeve të tyre dhe mbështetjen e idesë për ngritjen e këtij komisioni hetimor.
Gjithsesi, kryetari i PDK-së theksoi se bashkëpunimi me selinë rozë do të jetë vetëm për zgjedhjet dhe zhvillimin e hetimeve administrative të zgjedhjeve. Ai mohoi mundësinë e hyrjes në koalicion me Partinë Socialiste.