E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të hapen kutitë, aty fshihet krimi zgjedhor

PS-ja starton aksionin politik. Rama mandatoi dje deputetët, që të zbresin në bazë për të informuar anëtarësinë me përmbajtjen e vendimit për Kuvendin

TIRANË - Partia Socialiste ka startuar dje aksionin e saj politik, me qëllim fillimin e komunikimit intensiv politik me strukturat partiake dhe elektorale për njohjen me situatën postzgjedhore (përfshi kushtet e PS-së për hyrjen në Kuvend), si dhe me problemet sociale dhe ekonomike, që shqetësojnë sot vendin.


Në funksion të këtij aksioni, kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje takime të veçanta me deputetët e 12 qarqeve, duke u kërkuar këtyre të fundit që të zbresin në bazë, për të kontaktuar dhe informuar gjithë anëtarësinë, por edhe qytetarët opozitarë, me përmbajtjen e vendimit të PS-së për Kuvendin.


Menjëherë pas këtyre takimeve, kryetari i PS-së, Edi Rama, doli në një konferencë për shtyp, për të deklaruar se Kuvendi i sapombledhur qysh në lindjen e tij po afirmon një princip shumë të rrezikshëm, atë të mungesës së plotë të vullnetit për transparencë.


"Në themel të kësaj mungese të plotë vullneti, qëndron frika nga hapja e kutive, që mbajnë brenda bazën e deformimit elektoral, frika nga hapja e kutive, që mbajnë brenda dëshminë faktike të asaj që ka ndodhur më 28 qershor dhe të asaj batërdie, që është bërë me materialin zgjedhor, por jo vetëm kaq, përveç frikës nga hapja e kutive është edhe frika nga transparenca me të gjithë dhe e të gjithë veprimtarisë së një shteti të tërë të vënë në funksion të pushtetit dhe të kthyer në makinë elektorale, duke filluar nga shpërdorimi i funksioneve dhe aseteve publike për qëllime elektorale, deri tek përndjekja e patolerueshme për një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Evropian",- tha dje Rama.


Kryetari i PS-së ka qartësuar se kushtet e PS-së kundrejt pjesëmarrjes në Kuvend nuk janë kushte për të ndryshuar pushtetin në tavolinë, por kushte për të garantuar demokracinë, lirinë dhe të drejtat kushtetuese. Kryetari i opozitës theksoi se sot demokracia është e kërcënuar nga një Kuvend që dominohet prej një shumice pa legjitimitet të plotë dhe me mungese të plotë legjitimiteti politik e moral.


"Nesër kjo do të diktohet nga një qeveri, e cila lind si shprehje e gjithë këtij deformimi nga njëra anë dhe një mashtrimi të madh publik nga ana tjetër, duke bashkuar çka dukej e pabashkueshme për shumëkënd përpara 28 qershorit",- tha ai. Rama theksoi se dje është shtruar aksioni politik, që fillon pikërisht me kushtëzimin e Kuvendit, por sipas tij, nuk mbaron këtu.


"Është e domosdoshme që në këto kushte ne të intensifikojmë dhe do të intensifikojmë kontaktet tona me qytetarët, kontaktet tona me të gjithë ata që nuk duan të pranojnë këtë realitet të imponuar dhe të deformuar përmes forcash, të cilat po veprojnë çdo ditë e më shumë në kundërshtim me interesat e përbashkëta të vendit dhe sigurisht që të gjitha mjetet demokratike janë në dispozicionin e çdokujt që kërkon të ngrejë kauzën e tij dhe për më tepër të opozitës, që nuk do të kursejë veten dhe asnjë mjet për ta bërë këtë kauzë një kauzë që dëgjohet, një kauzë që shikohet dhe kuptohet qartë edhe nga ata që nuk duan të dëgjojnë, shikojnë dhe kuptojnë sot",- tha Rama.


Kryetari i PS-së iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve sa i përket deklaratës së ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, se vendi i opozitës duhet të jetë në Kuvend. "Jam absolutisht dakord që debati të bëhet në Kuvend në një demokraci normale dhe në një Parlament normal. Por nuk jemi në kushtet e një demokracie dhe Parlamenti normal.


Për këtë arsye kemi vendosur këto kushte, të cilat nuk janë kushte që një palë duhet t'i plotësojë për një palë tjetër. Janë kushte që palët duhet t'i plotësojnë për një popull të tërë, për një vend të tërë, që po troket në BE dhe kërkon të bëhet pjesë e BE-së, pasi është bërë pjesë e NATO-s, duke bërë zgjedhje që nuk ngjajnë fare me zgjedhjet në BE apo NATO",- sqaroi ai.


Rama shtoi se hapja e kutive të votimit është një normalitet demokratik, një procedurë e pashmangshme për askënd dhe për asnjë vend. "Sepse në ato kuti, në fakt, fshihet mëkati i madh i këtyre zgjedhjeve, aty fshihet krimi zgjedhor, në fakt fshihet e vërteta e popullit shqiptar më 28 qershor",- tha ai.

------------------------------------------------------------

Rama e Lakrori sot debat në Elbasan


TIRANË- Partia Socialiste nis sot fazën e fushatës elektorale të zgjedhjes së kryetarit të partisë. Megjithëse me statutin e partisë një gjë e tillë ka qenë e mundur të zhvillohej që nga dita e parë e shpalljes së datës së zgjedhjeve, realisht ajo pritet të nisë sot.


Dy kandidatët për postin e kryetarit të partisë, Edi Rama dhe Maqo Lakrori do të jenë sot bashkë në një takim elektoral, që do të zhvillohet në sallën e teatrit "Skampa" në Elbasan. Duket se kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, i është përgjigjur pozitivisht ftesës publike,
që rivali i tij Maqo Lakrori i bëri atij për të zhvilluar sëbashku fushatën zgjedhore në parti në 12 qarqe, për të zhvilluar përballë socialistëve debatin për platformën e drejtimit të kësaj force për katër vitet e ardhshme.


Duket se formati i sotëm i debatit, që do të zhvillohet në Elbasan, do të jetë edhe nisja e një turi të gjatë takimesh dhe debatesh, që dy kandidatët do të zhvillojnë në ditët në vijim edhe në qendrat e tjera të qarqeve.


Në këto takime dy rivalët për postin e kryetarit pritet të shpalosin platformat e tyre për drejtimin e PS-së në katër vjeçarin e ardhshëm, platforma, që duket se pavarësisht dallimeve jo të vogla kanë thuajse të njëjtin qëllim, rikthimin e kësaj force në qeveri.


Kështu, Rama ka si qëllim të platformës së vet vijimin e zbatimit të filozofisë së tij për të mposhtur, atë që ai e konsideron si "politikë e vjetër" dhe rikthimin e PS-së në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.


Ndërsa, Lakrori në dokumentin e bërë publik para disa ditësh për mediat i mëshon fort nevojës së bashkimit të së majtës, si mundësia e vetme për të rikthyer PS-në në pushtet.


Për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS-së pritet që të ftohen për të votuar më shumë se 75 mijë zgjedhës, të cilët në këtë rast janë anëtarësia e PS-së. Zgjedhjet do të zhvillohen në të gjithë Shqipërinë të shtunën e 26 shtatorit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›