Kuvend, Topalli rizgjidhet kryetare. Mungon PS-ja
Në seancë ishin të pranishëm ambasadorët, por mungonte Topi. Topalli voton për veten e saj. Me pas feston ne Vilën e Enverit.
TIRANË- Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli nëpërmjet një gare krejt formale dhe me veten e vet, është rikonfirmuar për një mandat të dytë në postin e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.
E propozuar nga grupi parlamentar i PD-së, Topalli, duke votuar edhe veten e saj, ka marrë 74 votat e mazhorancës qeverisëse pro dhe vetëm votën e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule kundër.
Procedura
Seancën e djeshme parlamentare ka vijuar ta drejtojë si një ditë më parë një nga deputetët më të vjetër të kësaj legjislature Fatos Beja, i cili nder të tjera në zbatim të rregullores së Kuvendit ka hapur procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni.
Përmes një procedure formale, ai ka ftuar deputetët që të bëjnë propozimet përkatëse, por si pjesë e marrëveshjes mes forcave qeverisëse dhe në mungesë të opozitës nga salla ka ardhur si propozim vetëm emri i Jozefina Topallit.
Në emër të grupit parlamentar, kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, ka propozuar emrin e Topallit si kandidaturë e mbështetur nga një numër i konsiderueshëm deputetësh, por pa bërë të ditur numrin e tyre.
Ndërkohë pas seancës, burime pranë të zgjedhurve të djathtë u mësua se për kandidaturën e Topallit kishin firmosur rreth 60 deputetë, mes të cilëve edhe përfaqësues të partive të tjera aleate, siç është edhe LSI-ja.
Me administrimin e kandidaturës, Kuvendi zgjodhi dhe komisionin e posaçëm zgjedhor në përbërje të të cilit u votuan Sokol Olldashi, Igli Cara, Arenca Trashani, Ilir Bano dhe Dritan Prifti. Në bazë të rregullores, komisionin e ka drejtuar anëtari më i vjetër i tij, që në rastin konkret rezultoi se ishte Ilir Bano.
Më pas, deputetët, përmes një votimi të fshehtë, me kuti, janë ftuar në mënyrë nominale të votojnë. I pari që ka votuar ka qenë Berisha dhe i fundit zëvendësi i tij në qeveri dhe aleati më i ri, Ilir Meta.
Në përfundim të votimit rezultoi se për kandidaturën e Topallit kishin votuar të gjithë deputetët e mazhorancës qeverisëse, ndërsa kundra saj kishte votuar vetëm një deputet, që për nga radha e hedhjes së fletës së votimit në kuti, ishte e lehtë të zbulohej se ajo ishte vota e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Topalli
Me leximin e votës së fundit Kuvendi dhe gjithë të ftuarit, përfshi këtu edhe bashkëshortin dhe djalin e Topallit që ndodheshin në lozhë kanë duartrokitur gjatë rikonfirmimin e saj në postin e kryeparlamentares, ndërsa është vënë re në këtë seancë ceremoniale mungesa e kreut të shtetit Bamir Topi.
Më pas, Topalli është ngritur nga vendi i saj provizor që mbante në sallë dhe ka takuar duke falenderuar thuajse pjesën më të madhe të deputetëve që e votuan.
Në përfundim të shpalljes së rezultatit, Topalli ka rizënë karrigen e kryeparlamentares dhe prej aty i ka përcjellë një mesazh deputetëve të sapo mandatuar, pa harruar në fjalën e vet edhe opozitën me të cilën ka premtuar se do të bashkëpunojë në emër të reformave integruese, që e presin vendin tonë në këto katër vite.
"Jam e sigurt se marrëveshje të rëndësishme për vendin do të kenë bashkëpunimin e opozitës", - është shprehur Topalli në fjalën e vet përshëndetëse.
Megjithatë, pavarësisht gatishmërisë për të bashkëpunuar me socialistët, Topalli i ka kthyer atyre një përgjigje për kushtet që ata i kanë vendosur kësaj mazhorance, për të marrë pjesë në Kuvend, duke e konsideruar vendimin e tyre të bojkotit si të nxituar dhe zgjedhjet e 28 qershorit më të mirat që Shqipëria ka njohur ndonjë herë.
"Mund të kemi edhe tensione, dhe kjo nuk është diçka e re, ndonjë grup mund të vendos edhe në nxitim, edhe në drejtim të kundërt të interesave, por ky vend do të ecë përpara. Vijmë nga zgjedhjet më të mira që janë realizuar. Për herë të parë, në këto dy dekada çdonjëri nga 140 deputetët ka marrë mandatin me vendim unanim të anëtarëve të majtë e të djathtë të KQZ-së", - tha Topalli.
Pas mbylljes së seancës festa e rizgjedhjes së Topallit si kryetare Kuvendi ka vazhduar në vilën 31 në Bllok, e njohur ndryshe si vila e ish-diktatorit Hoxha, ku ajo ka shtruar një banket për deputetët, stafin e saj dhe anëtarë të Forumit të gruas dhe forumit rinorë të PD-së. Aty Topalli ka hedhur edhe fishekzjarre pa fund, ndërsa stafi i kishte rezervuar një urim të veçantë të shkruar në një banderolë të madhe blu.