E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Arbërit, një ngjarje e shënuar për historinë shqiptare

Kuvendi i Arbërit i njohur edhe me emërtimet tjera si Lidhja Shqiptare e Lezhës, është një tubim i fisnikëve më të njohur shqiptarë të viteve 1444, të cilët rrezikoheshin apo dëshironin të shkëputen nga lidhja me perandorin osmane, e cila krijohej me ndikimin ushtarak Osman. Kuvendi i Arbëri është cilësuar nga historianët si një prej ngjarjeve më të rëndësishme

 të historisë shqiptare. Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare. Kuvendi u mbajt më 2 mars 1444 në Lezhë. Qëllimet e tubimit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botën e krishterë ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi me këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame. Pjesëmarrës të kuvendit ishin ndër të tjerët edhe Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Teodor Muzaka. Aty u formua një besëlidhje, e njohur me emrin "Lidhja Shqiptare e Lezhës". Kryetar u zgjodh Skënderbeu. U krijua ushtria e besëlidhjes e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Kjo besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin: Krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake, e cila bazohej në vendime demokratike nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes, armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes, e cila me vendime në bazë të shumicës do ti zgjidhte. Kjo arrihej me lehtësi pasi të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë nën komandën e Gjergj Kastriotit, i cili ato sipas marrëveshjes do të fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›