Standard evropian, izolohet me hekura Kakavija
baret dhe fast-food-et. Prej dy javësh territori i Doganës së Kakavijës është vënë nën vëmendjen e disa kontrolleve nga shërbimi europian doganor dhe nga ekipet e kontrollit të misionit policor europian MAPE. Në fokus të këtyre kontrolleve janë respektimi i standardeve ligjore shqiptare dhe të KE-së për procedurat e kontrollit, territorin dhe zonën doganore. Për të përshtatur territorin e Doganës së Kakavijës me këto standarde, zona e kontrollit doganor është rrethuar me një gardh duke e veçuar nga godinat e shërbimeve private, pasi kjo pjesë e territorit që quhet Zona e kontrollit doganor ku veprojnë dhe kryejnë procedurat e tyre autoritetet doganore për kontrollin fizik dhe formaliteteve dokumentare për mallrat që importohen apo eksportohen, sipas standardit europian duhet të jetë e izoluar nga të gjitha veprimtaritë private. Një drejtim tjetër i përshtatjes së procedurave shqiptare me ato europiane është edhe adaptimi i parimit europian një ndalesë një kontroll, që do të thotë që çdo automjet, apo udhëtar të ndalojë vetëm një herë brenda zonës së kontrollit doganor dhe gjatë kësaj ndalese kryhen të gjitha kontrollet e pasaportës, dokumentacionin e automjetit, kontrolli fizik dhe çdo lloj kontroll tjetër. Në kuadrin e këtyre ndryshimeve bëjnë pjesë edhe vendosja e doganierëve dhe policëve në të njëjtën pikë kontrolli, organizimi i ri i parkingut të doganës, parkingut të automjeteve të punonjësve doganor dhe policisë si dhe parkingut të taksive. Të parët që kanë reaguar për rrethimin e zonës së kontrollit doganor me gardh hekuri janë punonjësit e degëve të bankave, shoqërive të sigurimit dhe pikave të shërbimit kafe e fast-food, të cilët tashmë janë tërësisht të izoluar nga klientët e tyre të cilët kryesisht janë udhëtaret e autobusëve dhe automjeteve që lëvizin në të dy anët e kufirit.
T. Hoxha