E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i Kosovës, deklaratë kundër referendumit në veri

PRISHTINE - Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, në marrëveshje edhe me grupet e tjera parlamentare, pritet të nxjerrë një deklaratë të përbashkët për të kundërshtuar mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se ky referendum është kundërshtuar nga të gjithë, si nga institucionet e vendit ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Ne jemi dëshmitar që dje ka ndodhur një ngjarje në veri të vendit: mbajtja e një referendumi ilegal, siç është vlerësuar dhe siç është realitet edhe i kundërshtuar nga gjithë faktori ndërkombëtar, por edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Grabovci, transmeton “Kosovapress”.

“Ne sot ishim në konsulta me gjithë shefat e grupeve parlamentare, prandaj unë këtu, në emër të gjithë grupeve parlamentare, i propozoj kuvendit që të lëshojmë një deklaratë. Ne do të harmonizojmë tekstin dhe do të prezantojmë për të votuar”.

Kjo kërkesë, me votim formal, ka hyrë në pikën e katërt të rendit të ditës.
Seanca është duke vazhduar me deklarime jashtë rendit të ditës.
(er.nu/kosovapressBalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›