E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i Kosovës shënon 10 vjetorin

Me një seancë solemne u shënua sot dhjetë vjetori i themelimit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë katër legjislaturave, Kuvendi thuhet se kishte prioritet “funksionimin për të përmbushur vakumin e madh të kornizës ligjore”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalimin e tij para deputetëve paraqiti bilancin e punës së legjislativit për dhjetë vite të punës.

424 ligje, 14 rezoluta e po aq deklarata, qindra vendime, qëndrime e rekomandime të miratuara, sipas Krasniqit, hynë në kuadër të asaj që është bërë deri më tani-arritje këto që thuhet se janë harmonizuar me legjislacionin evropian.

“Kuvendi në këto pak vitet e veprimit ka kontribuar fuqishëm për përparimin e demokracisë në përgjithësi në Kosovë e në mënyrë të veçantë të demokracisë parlamentare”, u shpreh Krasniqi.

Duke folur për synimin e integrimit evropian të Kosovës, kreu i Kuvendit, përmendi krijimin e komisionit për integrime evropiane dhe tha se në kuadër të përpjekjeve për këtë fushë, Kuvendi analizon dhe Raportet vjetore të Komisionit Evropian.

Jubileun e dhjetë, deputetëve ua uroi dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga përmes një deklarate për mediat.

“Kuvendi i Kosovës është institucioni kryesor i ndërtimit dhe i harmonizimit të politikave dhe puna e tij në kontrollin demokratik të qeverisjes është shumë domethënës në ndarjen e pushteteve dhe në respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë”, thuhet në deklaratën e lpublikuar nga presidenca.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›