E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i Lezhës, PD: Pretendimi i Topit, mashtrim

Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratave të presidencës se kreut të shtetit Bamir Topi nuk iu lejua të flaës në aktivitetin e organizuar me rastin 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në një konferencë për shtyp, deputetja e PD-së për qarkun e Lezhës Paulina Hoti theksoi se pretendimi i Topit se iu mohua fjala ishte mashtrim.
 

“Për bojkotin e festës, zoti Topi, që nuk i konfirmoi asnjëherë autoriteteve të Lezhës ardhjen në këtë festë, u deklaroi të huajve dhe mediave ndërkombëtare se ai nuk do të shkonte, më datë 2 mars në Lezhë, pasi Partia Demokratike e Lezhës do të organizonte një proteste kundër tij. Kurse shqiptarëve, u serviri motivin tjetër bajat, sipas të cilit anuloi pjesëmarrjen pasi nuk ishte lejuar të fliste. Unë jam sot këtu për të deklaruar me përgjegjësi të plotë, se pretendimi i zotit Topi, se më 2 mars Partia Demokratike e Lezhës do të organizonte një proteste kundër tij është pjellë e një fantazie të sëmurë, trillim banal, identik me mashtrimin e tij të meparshëm, siç ishte ai që ligjin e Lustracionit nuk e ktheu pasi ishin përgatitur ta gjuanin me gurë dhe me vezë ka shtuar Hoti.
 

Ajo ka theksuar se lezhianët nuk do të prishnin për asnjë çmim dhe asnjëherë ditën e krenarisë së tyre dhe të mbarë shqiptarëve. Sipas saj ky është në trillim me atë që e detyroi zotin Topi që, jo vetëm të mos marrë pjesë në inaugurimin e ambasadës së Kosovës në Tiranë por edhe të akuzojë fill pas këtij inaugurimi se, nuk e kishte ftuar ambasada në këtë ceremoni. 

“Por kur mediat e pavarura gjetën dokumentin e firmosur nga Presidenca që faktonte se ai kishte ftesë, ai u detyrua të përgënjeshtrojë veten. Ndërsa për mashtrimin tjetër për konsum të brendshëm se ai nuk shkoi në Lezhë sepse nuk u lejua të fliste, këtë i`a beson vetëm ndonjë zëdhënës i Edi Ramës. Bamir Topi nuk kishte konfirmuar asnjëherë pjesëmarrjen në festimet e Lezhës pasi duket se, jo Bashkia e Lezhës, por motive të thella personale nuk e lejuan të fliste atë ditë, në atë vend” ka shtuar Hoti.

Përsa i përket pretendimit të Edi Ramës, se ai mungoi pasi nuk kishte marrë ftesë, Hoti theksoi se kjo është e vërtetë sa edhe pretendimi i Bamir Topit se nuk kishte marrë ftesë nga ambasada e Kosovës.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›