Në “Schengen”, vetëm shtetasit e pajisur me pasaporta biometrike
Vizat, flet Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu
Festa të fundvitit pa viza, por vetëm për mbajtësit e pasaportave biometrike. Kryenegociatori i palës shqiptare për lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian, Gazmend Turdiu deklaron se të gjithë shtetasit e tjerë që disponojnë pasaportë të vjetër do t’u duhet të aplikojnë për viza siç kanë bërë deri tani, edhe pas marrjes së vendimit. “Liberalizimi është vetëm për mbajtësit e pasaportave biometrike sepse janë pikërisht këto lloj dokumentesh që garantojnë identifikimin e saktë të personit i cili paraqitet në kufi dhe kërkon të hyjë në zonën “Schengen”. Personat që nuk do të kenë pasaporta biometrike do të jenë të detyruar të paraqiten në ambasadat e vendeve “Schengen” në Tiranë për të marrë në vizë siç kanë marrë deri më sot”, thotë Turdiu. 25 qershori është afati i fundit kur Shqipëria raporton për vizat në Komisionin Europian, i cili në fillim të korrikut do të sjellë ekspertët e tij për të monitoruar përmbushjen e 3 kushteve të fundit.
Megjithatë vendimi për liberalizim nga Parlamenti dhe Këshilli i Ministrave Europian do të mund të merret në muajt tetor- nëntor. E sigurt sipas kryenegociatorit është që në festat e fund vitit shqiptarët më në fund do të kenë mundësi të lëvizin pa viza. “20 ditë pas marrjes së vendimit ai botohet në fletoren zyrtare të BE dhe hyn menjëherë në fuqi që do të thotë se jemi plotësisht brenda afateve për të mbajtur premtimin që është dhënë që shqiptarët brenda fundit të vitit do të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Europian”, thotë Turdiu. Përsa u përket kushteve të mbetura, ministria e Jashtme jep garanci se do t’i përmbushë brenda fundit të qershorit.