E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takohet me TAP për gazsjellësin

Projekti

Qeveria shqiptare përsëriti edhe një herë dje mbështetjen e saj zyrtare për projektin e gazsjellësit “TransAdriatik”, të njohur si TAP, një projekt ku tre kompani të rëndësishme europiane, “Statoil” nga Norvegjia, “EGL” nga Zvicra dhe “E.ON Ruhrgas” nga Gjermania, kanë aksione.

“Kryeministri Berisha priti sot [dje] në takim një grup përfaqësuesish të projektit të madh të gazsjellësit “Trans-Adriatik” (TAP AG), që kalon edhe në Shqipëri, të kryesuar nga drejtori i projekti, Kjetil Tungland”, njoftoi zyra për shtyp e Kryeministrit.

“Kryeministri Berisha falënderoi zotin Kjetil Tungland (drejtor i TAP) për informacionin dhe e siguroi që mbështetja e qeverisë shqiptare, si vend i përfshirë në këtë projekt dhe përfitues prej tij, do të ishte e vazhdueshme dhe e garantuar”, vijon më tej njoftimi.

Ky projekt synon të krijojë një korridor gazi nga Azia Qendrore për në Europë, duke lidhur infrastrukturën ekzistuese në Greqi me rrjetin italian, përmes një gazsjellësi 520 kilometra të gjatë, që do të kalojë nga Shqipëria dhe deti Adriatik. Drejtori i TAP, Kjetil Tungland, deklaroi në fillim të majit në Tiranë se vendimi përfundimtar për ta ndërtuar apo jo këtë gazsjellës, do të merret në vitin 2012. Problemi i projektit qëndron në vështirësitë e gjetjes së burimeve të gazit në zonën e detit Kaspik. Iraku, që është një prodhues i rëndësishëm i zonës, nuk garanton dot furnizim të rregullt për shkak të luftës, ndërsa TAP duket se është detyruar të tërhiqet nga ideja e blerjes së gazit në Iran për shkak të embargos amerikane. “Vendimi ynë do të varet nga zhvillimi i burimit të Shah Denizit”, deklaroi Tungland në maj. Shah Deniz është një zonë gazmbajtëse në detin Kaspik, e zbuluar së fundmi, e cila është aktualisht në fazën e zhvillimit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›