E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria po paguan më shumë valutë për të blerë ushqime nga jashtë



Muajt e parë të vitit kanë konfirmuar tendencën tashmë shqetësuese të rritjes galopante të importeve, së cilës ekonomia shqiptare nuk po mund t‘i përgjigjet me rritje të eksporteve. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për tre muajt e parë të vitit, Shqipëria ka importuar nga jashtë 780 milionë euro mallra dhe ka mundur të eksportojë vetëm 207.2 milionë euro. Vetëm në periudhën janar-mars deficiti tregtar arrin në më shumë se 550 milionë euro. Rritja më e madhe ka ardhur kryesisht nga ushqimet, kjo edhe për shkak të rritjes së fortë të çmimeve që kanë shënuar këto produkte në tregjet botërore. Për tremujorin e parë të vitit të kaluar Shqipëria importoi nga jashtë rreth 109 milionë euro produkte ushqimore, ndërsa për tre muajt e parë të këtij viti ka importuar gati 150 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja e importeve të ushqimeve është 41 milionë euro. Ngushëllimi i vetëm është se grupi i dytë i produkteve që kanë rritur sasinë e importit, janë makineritë dhe pajisjet, të cilat premtojnë për rinovim teknologjie të ekonomisë, por edhe për investime private në rritje.

Eksportet shqiptare pa fuqi konkurruese përballë fqinjëve

Ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë në tregjet ndërkombëtare, duke mos qenë e aftë të konkurrojë dot as me vendet e rajonit që kanë një ekonomi të ngjashme si kjo e jona. Të dhënat e tregtisë me jashtë kanë nxjerrë sërish në pah dobësinë e bizneseve shqiptare për të shitur në tregjet e huaja. Eksportet, pavarësisht rritjes që pësuan gjatë vitit të kaluar, mbeten ndër më të ulëtat në rajon. Sipas Qendrës Shqiptare për Tregti me Jashtë, gjatë vitit 2007, “eksportet shqiptare vlerësohen në rreth 900 milionë dollarë me një rritje prej gati 26 për qind, krahasuar me një vit më parë”. Por pavarësisht kësaj, kjo shifër është 3 herë më e vogël nga eksportet e Maqedonisë dhe gati 4.5 herë më e vogël nga ato të Bosnjë-Hercegovinës, të cilat janë dy ekonomi të krahasueshme me ekonominë tonë. Shqipëria ka mundur të lërë prapa përsa u takon eksporteve, vetëm Malin e Zi, i cili gjatë vitit të kaluar eksportoi vetëm 700 milionë dollarë produkte në tregjet ndërkombëtare.

Financat, gati 150 milionë euro buxhet shtesë për krizën

Ministria e Financave po planifikon që në buxhetin suplementar të gjashtëmujorit të dytë 2008 të akordojë shumën prej rreth 150 milionë eurosh. Kjo do të japë mundësi për të mbështetur popullatën me rritje të rrogës dhe pensioneve, si dhe për të përballuar pasojat që do të vijnë nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Deklarata erdhi nga ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë një debati televiziv ku diskutohej për rritjen e çmimeve ushqimore në tregjet botërore dhe ato vendase. Ministri Bode, ndër të tjera, tha se “po punohet për të bërë një politikë të rritjes së pagave dhe pensioneve, pa ndikuar në inflacion”. Në total të ardhurat tatimore për periudhën janar-prill 2008 u realizuar në masën 111.8 për qind, ose rreth 40 milionë dollarë mbi planin. Për muajin prill 2008 kemi një tejkalim prej rreth 6 milionë dollarësh, ose në masën 107.2 për qind. Krahasuar me vitin 2007 për këtë periudhë janë arkëtuar më shumë rreth 93 milionë dollarë, ose në masën 124 për qind. Rritje kanë pasur dhe kontributet e sigurimeve shoqërore me 24 për qind, ose me arkëtim në masën 30 milionë dollarëve. Sipas DPT-së, kjo rritje ka ardhur si pasojë e minimizimit të informalitetit të tregut të punës.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›