E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i heq imunitetin Metës, Prifti javën tjetër

17/02/2011  PS pas dy vjetësh merr pjesë në votim në seancën e Kuvendit

Pas dy vjetësh bojkot, është dashur heqja e imunitetit për kreun e LSI-së që deputetët e PS-së të marrin pjesë në votim në seancën e Kuvendit. Rasti i fundit që PS-ja ka votuar pas 28 qershorit 2009 ka qenë një rezolutë e PD-së, që bënte fjalë për integrimin Evropian, pak ditë përpara futjes në grevë urie në majin e kaluar. Nuk dihet nëse deputetët e PS-së do të përdorin të njëjtin standard edhe për deputetin tjetër Dritan Prifti, për të cilin ekziston e njëjta kërkesë nga ana e Prokurorisë shqiptare. Tashmë është zyrtare: deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta nuk gëzon imunitetin e deputetit. Kështu, me votimin e djeshëm Kuvendi i hapi rrugë kërkesës së Prokurorisë për hetimin e kreut të LSI-së. Ish-zëvendëskryeministri, i cili akuzohet nga Prokuroria për korrupsion aktiv pas videopërgjimit mes tij dhe deputetit Dritan Prifti, ku flitet për afera të dyshimta korruptive, do tu nënshtrohet hetimeve të organit të akuzës mbi videon që u publikua në medie, e cila iu dorëzua Prokurorisë nga vetë Dritan Prifti.

Votimi

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë votuan me 128 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta. Pas votimit, i cili zyrtarizmi heqjen e imunitetit të Metës, Kryetarja e Kuvendit deklaroi se të enjten e ardhshme do të votohet edhe për heqjen e imunitetit të deputetit dhe ish-ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti. Gjithashtu, Kuvendi vendosi që të kalojë me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në Rregullore të propozuara nga Partia Demokratike.

Seanca e djeshme

Në seancën e djeshme plenare në lidhje me nismën e Partisë Demokratike për kufizimin e imunitetit të deputetëve, ashtu siç pritej, opozita u shpreh kundër kësaj nisme, duke e cilësuar në kundërshtim me procedurat e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit. Socialistët kërkuan që më parë seanca të përfshinte në kalendar nismën e PD-së dhe më pas të caktohej se kur duhej të shqyrtohej në komisione dhe të votohej në seancë plenare. Por kjo është kontestuar nga maxhoranca, e cila ka qenë pro përfshirjes me procedurë të përshpejtuar të kësaj nisme. Në fjalën e tij kryeministri Berisha, duke iu referuar draftit të propozuar nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit theksoi se opozita nuk mund të bllokojë më seancat parlamentare, pasi ligji nuk do ta lejojë më këtë. “Ju mund të përdorni grushte, shkelma, por ky parlament do të funksionojë siç do sovrani”, - deklaroi Berisha.

Ndërprerja e seancës

Pas tensioneve të krijuara në sallën e Kuvendit pas fjalës së kryeministrit Berisha, kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi kërkoi fjalën për replikë me shefin e mazhorancës, por Kryetarja e Kuvendit nuk ia dha fjalën, duke kaluar në votimin e prezencës për tu shprehur me votë ndaj imunitetit të deputetit Ilir Meta. Pas shumë replikave deputetët e opozitës janë ngritur para foltores, gjë që solli ndërprerjen e seancës për rreth 30 minuta nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Meta

Kreu i LSI-së Ilir Meta në fjalën e tij para deputetëve në seancën që po shqyrtonte heqjen e imunitetit të tij tha: “Shqetësimi im në raport me Prokurorinë është se pas më shumë se një muaji, kur u transmetua videoja dhe kur kryetari i PS-së doli garant para opinionit se nuk ka qenë montazh, por e vërtetë, Prokuroria vjen tani me kërkesë. Prokurorja, pasi rendit akuzat, thotë se, sipas konkluzionit, rezulton se videoregjistrimi objekt i ekspertimit është i pa tjetërsuar dhe shkalla e gabimit është zero. Në fakt, kjo është vetëm një pjesë e një konkluzioni të panevojshëm që është kërkuar të japë eksperti amerikan.”

Propozimet e PD-së shkaktojnë debate mes Patozit dhe Dokles

Ndryshimet në Rregullore, PS: Represion ndaj opozitës

Patozi: Maxhoranca nuk ia njeh vetes imunitetin prej 6 vjetësh

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në seancën e djeshme parlamentare u shpreh se në seancën e djeshme do të votohej vetëm për heqjen e imunitetit të Ilir Metës, pasi vetëm një ditë më parë u bë i ditur qëndrimi i Prifti për imunitetin e tij që gëzon si deputet. Gjithashtu në fjalën e tij në lidhje me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të propozuara nga PD-ja, Patozi tha se opozita mund të tentojë të bllokojë Kuvendin, por nuk do tia arrijë, pasi seancat do të vijojnë normalisht. “Në këtë seancë grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar që të mblidhemi sot për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të zotit Meta. Ne si maxhorancë nuk ia njohim vetes imunitetin prej 6 vjetësh apo prej më shumë vjetësh. Së dyti, ne e kemi konsideruar serioze kërkesën e institucionit të akuzës. Pavarësisht rezervave që mund të kemi për ata që punojnë aty, ne mendojmë të ndiqet sa më shpejt nga organi akuzës çështja penale ndaj deputetëve të kërkuar. Së treti, zoti Meta që në çastin kur nuk ishte bërë kërkesa për heqjen e imunitetit, por që në çastin që videoja u publikua ia hoqi vetes të drejtën e imunitetit. Këtë nuk e bëri thjesht me një deklaratë publike, por e bëri me një kërkesë zyrtare të drejtuar Kryetares së Kuvendit. Së katërti, sepse zoti Meta nuk u mjaftua thjesht me këtë kërkesë, por u paraqit sipas të gjitha rregullave në Këshillin e Rregullores dhe mbrojti të njëjtën pikëpamje që një minutë më parë të shqyrtohet kërkesa e imunitetit të tij, sepse ai nuk i njeh vetes imunitet. Duke pasur të gjitha këto arsye dhe gjithë këto rrethana, ne kërkuam që kjo seancë të thirret sot për të mos e zvarritur procesin, sepse nuk kishim asnjë arsye pse ta bënim këtë”, - sqaroi Patozi. Ndërsa sa u përket deklaratave të bëra nga deputeti i PS-së Namik Dokle, numri 2 i PD-së tha se “unë nuk ia lejoj vetes të merrem me fjalimin e përgatitur të zotit Dokle, për shkak se nuk kanë lidhje me seancën e sotme”.

Dokle

“Arroganca qeveritare rreket të vendos diktat mbi opozitën, mbi Parlamentin, mbi gjithë jetën e vendit. Sot ju vini në rendin e ditës një shkelje tjetër të Kushtetutës, pasi e keni bërë këtë katrahurë mbi 20 herë. Sot ju po shkelni Rregulloren për ta masakruar atë edhe më keq, siç keni bërë disa herë të tjera, pa konsensusin e opozitës dhe kundër opozitës. Doni të bëni represion mbi opozitën, doni ta nënshtroni, ti mohoni lirinë e fjalës, madje edhe me procedurë të përshpejtuar”, - tha deputeti socialist Namik Dokle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›