E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA mbështet opozitën në Iran

17/02/2011  Qeveria amerikane ka ngurruar për një kohë të gjatë që të mbështesë protestat egjiptiane kundër regjimit të Mubarakut. Për dallim në Iran: sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton mbështet hapur demonstratat

Vetëm pak orë pasi që kishin filluar demonstratat e fundit në Iran, sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton lavdëroi në Uashington angazhimin e kundërshtarëve të qeverisë.

"Ajo çfarë shohim sot në Iran është një dëshmi për guximin e popullit iranian dhe një padi ndaj hipokrizisë së regjimit iranian".

Qeveria në Teheran edhe pse ka përshëndetur protestat egjiptiane, popullit të vet ia mohon të drejtën për lirinë e shprehjes. Clinton me deklaratën e saj doli në mbështetje të demonstratave të opozitës dhe kërkoi nga Irani ndryshimin e sistemit:

"Ne mendojmë që sistemi politik në Iran duhet të hapet për kërkesat e opozitës dhe të shoqërisë civile".

Me deklaratat e Clintonit qeveria Obama ndryshon qëndrimin e saj fillestar që të mos përzihet në çështjet e brendshme të Iranit nga frika se përzierja amerikane mund të ketë pasoja negative për lëvizjen demokratike në vend. Përveç kësaj Presidenti Obama besonte në fillim të mandatit të tij qeverisës se do të arrijë të negociojë me pushtetmbajtësit në Iran para së gjithash për programin bërthamor iranian. Obama atëherë:

"Nëse vendet si Irani hapin grushtin e tyre atëherë prej nesh po ashtu do të kenë një dorë të shtrirë".

Ndryshe nga paraardhësi i tij George W. Bush, i cili kishte ndarë për opozitën iraniane mbi 60 milionë dollarë amerikanë nën drejtimin e Obamës fillimisht ishin ndërprerë ndihmat materiale për rezistencën iraniane. Vetëm kur regjimi i Teheranit shtypi në mënyrë brutale lëvizjen demokratike në verën e vitit 2009, në Uashington filluan të mendojnë ndryshe:

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkësia ndërkombëtare janë të shokuara dhe të tronditura nga raprezaliet, dhuna psikike dhe arrestimet e ditëve të kaluara. Unë i dënoj ashpër këto veprime. Populli iranian duhet të ketë të drejtën e patjetërsueshme të tubimit dhe shprehjes së lirë", ka thënë Obama.

Paralelisht me këtë administrata amerikane ashpërsoi sanksionet ekonomike kundër Teheranit për shkak të programit bërthamor iranian.

Ndryshe nga regjimi i Mubarakut në Egjipt, i cili është mbështetur nga Uashingtoni me ndihma bujare ushtarake për dekada të tëra në Iran ka tre dekada që fryn një erë e ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të vërtetë katër raundet e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përveç tyre sanksionet e posaçme të SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomisë iraniane. Çmimi i mallrave importuese vetëm gjatë viteve të fundit është ngritur me rreth 30 për qind.

Lëvizja e protestës në Iran është ende gjallë

Dhjetëra mijëra vetë u solidarizuan të hënën në Iran me lëvizjen për demokraci në Egjipt dhe Tunizi duke protestuar kundër qeverisë. Forcat e sigurisë vepruan me forcë kundër demonstruesve.

Ai duhej të ishte një demonstrim i heshtur, në mbështetje të lëvizjes për demokraci në Egjipt dhe Tunizi. Opozita kishte kërkuar për të hënën (14.2.) lejen për mitingun përkatës, autoritetet iraniane e kishin refuzuar kërkesën.

Qeveria iraniane do që ta kanalizojë protestën në drejtimin e saj. Ajo e cilëson lëvizjen egjiptiane për demokraci një "revolucion islamik" dhe i kishte kërkuar opozitës në ditën e Revolucionit Islamik në Iran, që ishte më 11 shkurt, të merrte pjesë në demonstratat e organizuara nga shteti. Çdo tubim tjetër për të hënën ishte ndaluar rreptësishtë.. Të hënën dëshmitarët treguan se në rrugët e Teheranit kishte prezencë të forcave të sigurisë.

Një djalë i ri thotë për Deutsche Wellen: "Numri i milicëve është jashtë mase i lartë. Me sa duket kanë rekrutuar edhe fëmijë. Shikon shumë djem, rreth 10 apo 11 vjeç, që kanë shkopinj në duar, apo që kanë hipur në motoçikleta. Ato ndalojnë njerëzit dhe i pyesin se ku duan të shkojnë”.

Gaz lotsjellës kundër demonstruesve

Gjatë ditës u mblodhën megjithatë gradualisht shumë njerëz në rrugë dhe formuan grupe të vogla. Por përpjekja e tyre, për tu bashkuar në një marshim proteste, dështoi. Në qendër të qytetit pati përleshje midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë, të cilët vepruan me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome kundër demonstruesve. Një dëshmitar okular 70-vjeçar, i cili kishte mundur të gjente strehim në një shtëpi, tregon.

“Nuk merrja dot më frymë. Shumë njerëz janë ende në rrugë duke thirrur "Vdekje diktaturës." Policët qëndrojnë aty dhe vështrojnë, por milicët godasin njerëzit pa mëshirë me shkopinj elektrikë. Ata goditën edhe një grua të vjetër, që po kalonte buzë demonstratës".

Udhëheqësit e opozitës të izoluar nga policia

Shumë iranianë kanë vendosur video të demonstratave në Youtube dhe Facebook. Faqja e internetit kaleme.com, e afërt me lëvizjen për reforma, njoftoi se edhe në qytetin qendror iranian Isfahan dhe në Shiraz, në jug të vendit ka pasur tubime të ngjashme.

Udhëheqësit e opozitës Mir Hosein Musavi dhe Mehdi Karrubi nuk u lejuan as të hënën që të dilnin nga shtëpitë e tyre. Ata janë në arrest shtëpiak qysh javën e kaluar. Shumë politikanë të opozitës dhe bashkëpunëtorë të Musavit dhe Karrubit u arrestuan në ditët e fundit.

Lufta për demokraci vazhdon edhe në internet

Faqja e internetit kaleme.com njoftoi se të hënën policia e bllokoi hyrjen e shtëpisë të Musavit dhe paralizoi lidhjet e tij telefonike. Pak më vonë nuk ishte më e mundur as të hyje në kaleme.com, e bllokuar nga qeveria iraniane. Ajo preu edhe lidhjet e telefonisë celulare në disa zona të qytetit. Nga ana tjetër, hakerët e grupit "Anonymous" sulmuan faqet e internetit të qeverisë. Një ekspert i IT, i cili dëshiron të mbetet anonim thotë: "Agjencia iraniane e lajmeve IRIB.ir tani është e pakapshme. Ky ishte suksesi ynë më i madh në këtë natë. Por disa nga faqet pro-qeveritare të internetit janë të paprekshme. Si për shembull Rajanews.com, apo Farsnews.com. Faqe të tilla kanë një mbështetje të fortë nga Kanadaja, apo Austria, pavarësisht nga sanksionet kundër qeverisë iraniane".

Të hënën në mbrëmje, agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve Farsnews, e cila është e afërt me Gardën paramilitare revolucionare raportoi për arrestime të protestuesve. Opozita njoftoi të hënën për "një fitore të madhe dhe të papritur". Këshilltari i Musavit që jeton në Paris, Ardeshir Amir-Arjomand, i tha BBC se "lëvizja e protestës jeton dhe ne do të vazhdojmë".

Po në të njëjtën mbrëmje “Amnesty International” dënoi goditjen kundër demonstruesve paqësorë në Iran.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›