Kuvendi i (pa) rregullt i punës
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e kuvendit të rregullt të punës të enjten, duke filluar nga ora 18:15. Mirëpo, ky kuvend nga një pjesë e klubeve kosovare është konsideruar i parregullt. Ato janë ankuar se FFK nuk i ka njoftuar me kohë rreth mbajtjes së këtij kuvendi.
Rasti i fundit është ai i Lirisë. Klubi prizrenas ankohet se nuk ka marrë kurrfarë materiali dhe se nuk është i sigurt nëse do t’i dërgojë delegatët e vet për të marrë pjesë në këtë kuvend apo jo.
Mirëpo, zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha, thotë se shtëpia e futbollit kosovar i ka dërguar materialet në shtatë rajone, të cilat më pas është dashur t’ua dërgojnë delegatëve të asaj pjese.
“Ne ua kemi dërguar materialet kryetarëve të shtatë rajoneve, të cilët kanë qenë të obliguar më pas t’i njoftojnë delegatët e tyre. Nuk e kemi obligim t’ia dërgojmë secilit klub dokumentet”, deklaroi Berisha.
Në kuvendin e punës së FFK’së do të diskutohet për raportin e garave, raportin e punës dhe atë financiar, ndërsa pritet të shtrohen edhe çështje tjera që kanë të bëjnë me futbollin kosovar.