E Shtunë, 31 Tetor 2026

I zhgënjyer për eliminimin

Agon Mehmeti ndihet mjaft i zhgënjyer me mënyrën se si u eliminua Malmo nga Liga e Kampionëve. Atyre u mungoi vetëm një gol ndaj Dinamo Zagrebit për të shkuar në fazën e grupeve. Sidoqoftë, sulmuesi kosovar kërkon nga bashkëlojtarët të shfaqin lojë ofanzive edhe në Allsvenskan. 21 vjeçari nuk e përjashton mundësinë të vazhdojë me Malmon. Nga Express më 25 gusht 2011 në ora 11:53

Malmos i mungoi vetëm një gol për të kaluar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, që do të ishte një e arritur historike. Por, fitorja 2:0 ndaj Dinamo Zagrebit nuk i mjaftoi kampionit suedez, pasi që javën e kaluar, në ndeshjen e parë të fazës së play-offit, ekipi i Fatos Beqirajt e Arian Ademit fitoi 4-1 në stadiumin Maksimir.

Agon Mehmeti e udhëhoqi Malmon deri në këtë fazë, por ai ndihet i zhgënjyer me eliminimin, i cili arriti në pikën e fundit. “Jemi mjaft të zhgënjyer për momentin. Ishim afër, shumë afër kualifikimit. Erdhëm këtu, luftuam me të gjitha forcat dhe e patëm një mbështetje fantastike nga publiku”, theksoi sulmuesi kosovar për mediat suedeze pas ndeshjes.

Ai shpreson që Malmo të vazhdojë të luajë në kampionatin suedez – Allsvenskan, njëjtë siç luajti ndaj kampionit kroat. “Duhet të luajmë në këtë mënyrë. Jemi një skuadër ofanzive. Duhet ta kufizojmë kundërshtarin. Nuk ka rëndësi se kë e kemi përpara, Geflen apo Dinamon. Malmo është skuadër ofanzive dhe kështu duhet të vazhdojë të jetë”, shtoi 21 vjeçari.

Mehmeti ka kontratë me Malmon deri në fund të këtij viti. Kohë më parë flitej se për të interesim kishte shfaqur Palermo, por së fundmi klubi italian nuk ka lëvizur. Për këtë, sulmuesi llapjan nuk e përjashton mundësinë që të qëndrojë te kampioni suedez. Bisedimet për kontratën e re mund të hapen.

“Deri tash kam dashur të koncentrohem vetëm në Ligën e Kampionëve dhe t’i marr gjërat hap pas hapi. Vështirë se do të largohem këtë verë, të shohim sezonin tjetër. Nuk kemi biseduar ende me Malmon për kontratën e re, por mund të bisedojmë, absolutisht. Të shohim se çka do të ndodhë”, shtoi përfaqësuesi U-21 i Suedisë.

Transferimi i tij në Itali gjatë verës duket i pamundur, ngase ai ka kontratë ende me klubin suedez. Për momentin, klubet nuk janë duke biseduar për një gjë të tillë. “Nuk ka asgjë të re. Siç e dini, në fillim të muajit korrik kishim kontakte. Një përfaqësues i Palermos kishte ardhur këtu për të biseduar. Por, pas kësaj nuk ka ndodhur asgjë”, tha drejtori sportiv i Malmos, Per Agren.

Përgjegjësi sportiv i klubit nuk e përjashton mundësinë që Mehmeti të mbetet në Malmo. Palët mund t’i fillojnë bisedimet shumë shpejt. “Jemi në dialog me Agonin, jo në negociata. Në të kaluarën ka thënë se dëshiron të presë dhe të shohë se si po rrjedhin gjërat. Ndoshta ka vepruar kështu për ta pritur derisa të përfundojë afati kalimtar i verës”, përfundoi Agren.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›