Hysi, miqësore me Servetten
Përpjekjet e drejtuesve të Hysit për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore ndërkombëtare kanë sjellë rezultat. Klubi nga Merdara do ta zhvillojë një ndeshje miqësore me skuadrën zvicerane Servette.
Udhëheqësit e kampionit të Kosovës e kanë marrë konfirmimin e zhvillimit të këtij takimi nga kolegët e tyre nga Zvicra. Ndeshja do të zhvillohet në Gjenevë, më 3 shtator, nga ora 19:45, ndërsa skuadra llapjane po i bën gati të gjitha dokumentet që nevojiten për të udhëtuar drejt vendit helvetik.
“E kemi marrë edhe konfirmimin zyrtar nga skuadra e Servettes që ta zhvillojmë një ndeshje miqësore në Gjenevë më 3 shtator. Do të udhëtojmë drejt Zvicrës më 2, ndërsa do të kthehemi në Kosovë më 4 shtator. Shpenzimet tona do t’i heqë skuadra vendëse”, deklaroi për Express zëdhënësi i Hysit, Bashkim Sadiku.
“Dokumentet dhe pasaportat e lojtarëve i kemi grumbulluar, e kemi bërë teminin në ambasadë. Në fund të muajit aplikojmë për viza dhe më pas udhëtojmë drejt Zvicrës”, shtoi ai.
Në anën tjetër, deri të mërkurën pasdite ueb faqja zyrtare e klubit zviceran www.servettefc.ch/fr nuk ka publikuar asnjë informatë rreth përballjes me kampionin e Kosovës.
Servette është rikthyer këtë sezon në elitën e futbollit zviceran. Ky ekip është 17 herë kampion i Zvicrës dhe njëra prej skuadrave më të famshme të këtij vendi. Momentalisht Servette gjendet në pozitën e pestë të AXPO Super League, me 8 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit bardhezi kanë bërë të ditur se zhvillimi i ndeshjes miqësore, e paralajmëruar më herët me klubin italian Inter, mbetet ende opsion.
Sipas tyre, skuadra italiane është e gatshme të luajë me kampionin kosovar, por gjithçka varet nga Federata e Futbollit e Italisë, e cila po përballet me disa probleme pasi Asociacioni i Futbollistëve i Italisë ka kërcënuar se nuk do ta zhvillojë xhiron e parë të kampionatit.
“Miqësorja me Interin mbetet opsion. Interi e ka dhënë pëlqimin të luajë me ne, por gjithçka varet nga Federata e Futbollit e Italisë, e cila po përballet me bojkotimin e mundshëm të kampionatit. I presim zhvillimet e mëtutjeshme në ditët e ardhshme”, përfundoi Sadiku i cili tha se ka mundësi të zhvillohet një ndeshje miqësore edhe me klubin turk Besiktas.