Ngushëllohet me Europa League

Odense e Bashkim Kadrit nuk arriti të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, pasi humbi të martën nga Villarreali (3:0) në ndeshjen e kthimit të barazhit.
Mirëpo, fakti se ekipi danez do të marrë pjesë në fazën e grupeve të Europa League ia ka zbutur sadopak dhimbjet mesfushorit shqiptar me pasaportë daneze.
“Do të jetë fantastike të luajmë në Europa League. Ishte objektiv yni. Edhe pse nuk e kapëm Ligën e Kampionëve, në fund mund të luajmë në Europa League”, deklaroi Kadri për mediat daneze.
Ekipi danez kishte fituar 1:0 në shtëpi, por u tregua i pafuqishëm në ndeshjen e kthimit të mërkurën, kur ‘Nëndetësja e Verdhë’ e siguroi kualifikimin në fazën e grupeve.
“Villarreali ishte skuadër më e mirë, këtë e dinim mirë, por prapëseprapë jemi paksa të zhgënjyer që nuk ecëm përpara. Nëse i marrim gjërat pozitive, ishte një eksperiencë fantastike të luftonim deri këtu. Kishim një fillim të mirë, por nuk e mbyllëm si duhet. Nuk mund të bënim më shumë”, tha Kadri, skuadra e të cilit do të marrë pjesë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm evropian të futbollit.
Në këtë takim, përfaqësuesi danez është ndëshkuar me karton të kuq, pas dy të verdhëve. Ai e quan këtë skandal, pasi që insiston se nuk e meritoi të skuqej.
“Ishte një skandal. Kartoni i dytë i verdhë ishte në rregull, por i pari ishte i padrejtë, është turp. Nuk e di se çka pa gjyqtari. Unë shkova vetëm për ta marrë topin, ndërsa gjyqtari konsideroi se ishte ndërhyrje për karton. Nuk mendoj se ishte drejtimi më i mirë i ndeshjes nga ana e gjyqtarit, por nuk mund ta fajësojmë atë për rezultatin”, përfundoi Kadri i cili këtë sezon po shkëlqen.