E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo rrezikon 12 ndeshje pezullim

Federata spanjolle ka nisur hetimin për gishtin në sy ndaj Tito Vilanovas. Pritet ndëshkim shembullor

Zhoze Murinjo nuk di të ndalet. Në pritje të një ndëshkimi shëmbullor me 12 ndeshje pezullim pas gjesteve anti-sportive në dëm të zëvendëstrajnerit të Barcelonës, Tito Vilanova, portugezi ka futur në krizë jo vetëm realin e Madridit, por edhe mediat botërore. Një mesazh nga celulari i zëdhënësit të trajnerit, i cili njoftonte dorëheqjen e tij ka krijuar kaos në klubin spanjoll. Lajmi u përhap rrufeshëm, por i shpejtë ishte edhe përgënjeshtrimi i vetëm Zhoze Murinjos. Në një kominikatë për shtyp në adresën zyrtare të Realit të Madridit në internet, trajneri ka hedhur poshte të gjitha mundësitë që ai të largohej, por përtej kësaj deklarate dyshimet mbeten. Sipas mediave spanjolle raporti i teknikut me klubin është prishur sidomos pas humbjes në finalen e Supërkupës së Spanjës, e cila u shoqërua nga gjesti i famshëm i portugezit, i cili i futi gishtin në sy zëvendësit të Pep Guardiolës. Për këtë gjest, Liga Spanjolle e futbollit ka nisur një hetim, ndërsa Murinjo rrezikon të ndëshkohet me 12 ndeshje pezullim. Por duket se trajneri portugez nuk do t’ia dijë megjithë presionin e madh që po bie mbi të.

Ai i ka kërkuar falje vetëm tifozëve për humbjen, por nuk ka pranuar asnjë pendesë sa i përket gjestit anti-sportiv. Gjithsesi, ndëshkimi me të cilin po përballet trajneri pritet të sjellë të tjera zhvillime. Nëse ai do të pezullohet për një periudhë të gjatë, atëherë fundi i aventurës së tij me Realin e Madridit do të jetë më pranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›