E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i përgjigjet Ramës: Mandati i PS, por me modalitete ligjore

Pas akuzave të lidershipit socialist Edi Rama se mazhoranca po vjedh mandatet socialiste ka reaguar edhe Kuvendi i Shqipërisë, ku i cilëson akuza e zotit Rama qesharake dhe të pabaza, pasi disa javë më parë, KQZ ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. Gjatë kësaj kohe, PS ka patur mundësi t ë ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, por nuk e ka bërë. Në deklaratën për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit theksohet gjithashtu se Rama duhet ta mësojë njëherë e përgjithmonë se në një shtet demokratik asnje institucion nuk mund të marrë atributet e një institucioni tjetër.
 

“Sulmet e Kryetarit të Partisë Socialiste për marrje të mandatit të PS nga Kryetarja e Parlamentit janë qesharake. As nuk ka patur, as nuk ka dhe as nuk do të ketë tendencë për të ngadalësuar apo për të privuar PS nga mandati që i takon! Akuza e zotit Rama është thjesht qesharake dhe e pabazë, sepse disa javë më parë, KQZ ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. Gjatë kësaj kohe, PS ka patur mundësi ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, gjë që PS nuk e ka bërë.Në mbledhjen e djeshme anëtaret e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve kanë diskutuar gjatë mbi vendimin e KQZ, duke shprehur disa mendime. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci, ka ngulur këmbë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, antikushtetues dhe se mandati është i pavlefshëm. Gjithashtu, ishte zoti Ruci ai që i kërkoi Kryetares së Parlamentit ta shpallë jokushtetues vendimin e KQZ, në një kohë kur këtë autoritet nuk e ka as Këshilli, as Kryetarja, por vetëm Gjykata Kushtetuese. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duhet ta mësojë njëherë e përgjithmonë se në një shtet demokratik asnje institucion nuk mund të marrë atributet e një institucioni tjetër. Gjithashtu, është i padiskutueshëm fakti se ky mandat i përket PS, por modalitetet duhet të jenë vetëm ligjore. Duke qene se anëtarë të ndryshëm të të dy forcave politike kishin mendime të ndryshme, Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve të konsultohen dhe të kontribuojnë me vullnet të mirë dhe me maturi në gjetjen e modaliteteve ligjore për rastin në fjalë.Kryetarja e Kuvendit vlerëson se anëtarët e Këshillit kanë bërë diskutime të përgjegjshme dhe se është e kënaqur që konsultimet për gjetjen e modaliteteve ligjore po vazhdojnë. Ndërkohe, Kryetarja e Kuvendit thekson se ky proces po karakterizohet nga transparenca maksimale dhe se procesverbali me transkriptimin e diskutimeve është publikuar në website-n e Parlamentit” thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se nëse zotit Rama i është mërzitur marrëveshja dhe po kërcënon me rikthimin e politikës së bllokimit, që është dhe natyra e vetme e Edi Ramës, ai duhet të mbajë parasysh se marrëveshjen nuk e ka për hir të mazhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›