Ankandi i makinave, ja sa u shitën makinat e deputetëve
Kuvendi i Shqipërisë ka shitur nëpërmjet një ankandi të hapur, 88 makina të vetat, të cilat deri para një viti përdoreshin nga deputetët dhe administrata. Ndërkohë që procesi i shitjes, nëpërmjet një ankandi të hapur, ka dështuar, për të paktën 33 makina të tjera, për të cilat thuhet se kanë munguar ofertat. Por pavarësisht kësaj shitjeje masive, duket se fitimi që ka mundur të sigurojë Kuvendi nga ky proces ka qenë i ulët dhe kjo për shkak se vlerat e shpallura fituese kanë qenë nën nivelin mesatar të shitjeve të makinave në vend. Kështu nga të gjitha automjetet e nxjerra në ankand, makina e shitur më shtrenjtë është një foristradë e tipit “KIA Sorrento”, me 7 milionë e 150 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që makina më e lirë është një “Wolsvagen”, prodhim i vitit 1999, e cila është shitur vetëm për 850 mijë lekë të vjetra. Ndërsa tipi më i shitur i automjetit është Wolsvagen “Bora”. Nga tabela e të dhënave rreth ankandit të publikuara nga vet Kuvendi, në faqen e tij në internet, dallohen edhe procese jo të rregullta. Një nga proceset më të dyshimta është ai për shitjen e një makine të vjetër tip “Benz 1900”, prodhim i vitit 1982, për të cilin kanë konkurruar tre persona me të njëjtin mbiemër. Disa individë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të bërë edhe biznes, pasi kanë mundur të blejnë disa makina.