E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i veriut rrit pazarin në Bruksel

Në fund të kësaj jave do të qartësohet politika e Serbisë karshi Marrëveshjes së Brukselit të arritur më 19 prill në mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq.

Dy analistë kosovar presin të shohin reagimin e Beogradit zyrtar në rast se serbët e veriut krijojnë të ashtuquajturin Kuvend të Krahinës autonome të Kosovës.

Veprimet e Serbisë rreth kësaj çështje janë tregues i qartë për ta nëse fqinji verior e ka seriozisht për të implementuar marrëveshjen me Prishtinën.

Ilir Deda nga Instituti KIPRED, thotë se me krijimin e këtij jo vetëm që synohet moszbatimi i marrëveshjes, por do të shërbej edhe si kërcënim nëse Serbia nuk e merr datën fillimit të dialogut me Bashkimin Evropian.

“Me anë të paralajmërimit të krijimit të këtij ‘kuvendi’ synohet moszbatimi i marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel. Nëse Serbia e lejon krijimin e këtij ‘kuvendi’ atëherë do të qartësohet loja e Serbisë që nuk ka interes te stabilizimit të situatës në veri. Në fakt, ky paralelizëm do të shërbeje si kartë në duar të Beogradit nëse Këshilli i Evropës nuk ia jep Serbisë datën në fund të qershorit”, ka thënë Deda për Indeksonline.

Mendim pothuajse të njëjtë ka edhe analisti, Nexhmedin Spahiu. Sipas tij, një veprim i tillë mund të bëhet vetëm për të rritë çmimin e pazarit në Bruksel.

“Kjo është një lojë tjetër e Koshtunicës, për të vënë në lojë zbatimin e marrëveshjes për zbatimin e planit Thaçi- Daçiq, për të rritë çmimin në pazar që po bëhet në është në Bruksel, dhe për t’ia komplikuar punën edhe BE-së edhe Prishtinës dhe për të bombarduar pikërisht Prishtinën. Kur ka një konflikt mes dy shteteve, esenca është se kush po e ngrit çmimin e vet më shumë.”, ka thënë Spahiu për Indeksonline.

Spahiu thotë se Prishtina nuk ka aftësi për t’u marrë me një çështje të tillë dhe qëndrimi i klasës politike në vend është tejet foshnjor.

“Prishtina nuk ka përgjegjësi dhe aftësi për t’u marrë me këtë rast. Në Beograd e dinë se çka dojnë. Këtu qëndrimi i klasës politike është foshnjor, duke mos u gjind në situata të caktuara. Këtu nuk e dinë se as çka po bëhet me marrëveshjen. Janë institucionet të cilat duhet të kenë strategji të përbashkët, janë shumë komisione kushtetuese të Kosovës, që nuk e kanë as idenë se çka po ndodh dhe as çfarë do të bëhet, dhe e gjithë kjo është krejt një reagim foshnjor i klasës politike të Kosovës”, ka theksuar Spahiu.

Sipas tij, në Serbi e dinë se çfarë të veprojnë, dhe çfarë pengesash t’i vëjnë Kosovës.

“Në Serbi prej presidencës e deri te Komitetet Olimpike, të gjithë e dinë se çka dojnë, e dinë se çfarë pengesash me i vënë Kosovës, ku duhet të lobojnë dhe kush janë vendet mike për strategji të caktuar”, ka thënë Spahiu.

Ndërkaq, Deda thotë se pa marrë parasysh takimet në Bruksel, marrëveshjet e arritura edhe ashtu nuk po respektohen, dhe se kjo tregon për dobësitë e këtij procesi.

Sipas tij lojëra të tilla janë parë tash e 23 vitet e fundit në ish- Jugosllavi, dhe se këto veprime janë riciklim i një politike të njejtë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›