Kuvendi kërkon rishikim për draftin
Moratoriumi
Deputetët kanë kërkuar rishikimin e draftit të moratoriumit të skafeve, i cili u miratua nga qeveria në fund të vitit të shkuar. Në mbledhjen e djeshme, Komisioni Parlamentar i Sigurisë, ka miratuar zgjatjen e moratoriumit për tre vjet po ka kërkuar rishikim të pjesës ku flitet për motorët e ujit që përdoren nga turistët në plazhet e Shqipërisë. Disa deputetë të pranishëm, si Vasillaq Ngresi, Paulin Sterkaj dhe Fatos Hoxha, kanë kërkuar që të rishikohen me kujdes ato pjesë që nuk kanë të bëjnë me mjete motorike të mëdha, por thjesht familjare apo dhe personalë që mund të përdoren nga turistët. Parlamentarët e PD-së theksuan se skuterët e ujit janë për njerëzit dhe nuk mund të përdoren për trafiqe të mundshëm, ndaj duhet të rishikohet drafti. Ndërkaq, lënia në fuqi edhe për tre vjet të tjerë të moratoriumit të skafeve, është konsideruar nga deputetët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë si një masë, e cila është e nevojshme në kuadrin e masave të marra nga qeveria për rënien e nivelit të trafiqeve.
Moratoriumi i ri për skafet, përveç shtyrjes së afatit të zbatimit të tij edhe tre vjet të tjera, përveç sekuestrimit të skafeve, vendos gjoba “të kripura” për personat apo subjektet që shkelin këtë ligj.
#