Greqia, ende debat për mësuesen e shqiptarëve
Organizohen mitingje antiraciste në qytetet kryesore
Vendimi i Gjykatës së Athinës, që i dha pafajësinë para disa ditësh mësueses greke, Stela Protonotariu, vazhdon ende të komentohet dhe reagimet janë të shumta. Arsimtarja greke akuzohej nga një koleg i saj se lejonte, në ambientet e shkollës që drejtonte, fëmijët e emigrantëve të huaj, kryesisht shqiptarë, që të mësonin gjuhën shqipe, ndërsa prindërit e tyre mësonin greqisht. është tepër karakteristike fjala mbyllëse e prokurorit pas dhënies së pafajësisë, ku midis të tjerash thekson: “Për fat të keq kisha ftesë të gjykoja një akuzë e cila nuk mbështetet në fakte të vërteta. Nuk shoh absolutisht as hollësinë më të vogël të një veprimi që mund të fajësojë mësuese Stelën dhe kolegen e saj, që u mësonte fëmijëve gjuhën amtare. Dhe e gjithë kjo në kurriz të kohës së tyre të lirë, kur të dyja morën një iniciativë humanitare për fëmijët. Nëse dikush i veçon këta fëmijë në grekë dhe shqiptarë, ky është një problem i tij personal. Fëmijët janë gjithnjë fëmijë”.
Vlen të përmendet edhe deklarata e vetë ministres greke të Arsimit dhe Besimit Fetar, Ana Diamantopulu, pas vendimit të pafajësisë për mësuesen greke. “Shfaq kënaqësinë time për një çështje të rëndësishme, për të cilën qysh në fillim kisha shprehur mbështetjen time. Dhënia e pafajësisë arsimtares Stela Protonotariu, një mësuese me gjithë kuptimin e fjalës, është më aktuale se kurrë, në këto momente që edhe konsultimi për projektligjin e dhënies së nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve ndodhet në pikën kulmore të tij dhe përbën një prej prioriteteve të qeverisë Papandreu”. E vërteta është se reagimet për këtë çështje në mediat përparimtare greke ishin pozitive. Ndërsa nuk kanë munguar edhe komentet negative, por ato kanë ngelur në shkallën e publikimit në bloget gazetareske. Gjithashtu është fakt që çdo ditë e më tepër në Greqi vazhdon të diskutohet nga një masë e gjerë njerëzish ligji për dhënien e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve të huaj dhe kryesisht të atyre shqiptarë. Duke shfrytëzuar faktin se mbi 60 për qind e popullsisë në Greqi ka shprehur rezervat e saj për këtë projektligj dhe madje është kundër tij në shumë pika, ultranacionalistët greke kanë kërkuar, akoma edhe në Parlament, një referendum popullor për aprovimin e tij. Shtypi grek çdo ditë sjell shembuj se si jepet kombësia apo nënshtetësia në vendet e Bashkimit Europian. Në mbrëmjen e së martës, në disa sheshe të Athinës, Selanikut, Janinës, Rethimnos dhe Iraklios në Kretë, lëvizja “Iniciativa e Bashkuar kundër Racizmit dhe Kërcënimit Fashist”, disa komunitete emigrantësh, shoqata arsimtarësh, studentë dhe nxënës, kanë organizuar mitingje antiraciste. Mesazhi që ata çojnë ndaj gjithë skeptikëve në këtë çështje është: “çdo fëmijë duhet të jetojë me dinjitet në vendin ku lindet dhe rritet, të ketë dokumente dhe të drejta. Emigrantët kanë të drejtën që të jetojnë një jetë me respekt dhe asnjëherë të mos harrojmë se kushdo një ditë mund të ketë ‘fatin’ e tyre”.
#