Paratë e pista pastrohen me ligj
Braçe: Akuza e deputetit të Partisë Socialiste për mazhorancën
Forca kryesore opozitare e konsideron abuziv dhe evaziv ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, që qeveria kërkon të miratojë të enjten në Kuvend. Deputeti Erjon Braçe ka dhënë argumentet pse ky ligj nuk duhet të hyjë në fuqi, pasi takson për herë të dytë biznesin e vogël dhe nga ana tjetër favorizon pastrimin e parave të pista në Shqipëri. “Nën gjykimin tonë, ligji është i paqartë, evaziv, abuziv, i qëllimtë i tillë, për të krijuar mundësinë e taksimit të shumëfishtë të biznesit të vogël kudo si dhe pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit të lidhur apo klient me qeverinë e Sali Berishës. Thjesht, për ta taksuar 3 dhe 4 herë deri në qindarkën e fundit apo pastruar çdo qindarkë të vjedhur e grabitur, përvetësuar politikisht, deri tani”, tha ai. Braçe vuri në dukje se ligji që do të votohet në Kuvendin e Sali Berishës, i krijon mundësi administratës së kësaj qeverie, të taksojë biznesin e vogël, veçmas atë të fashës me xhiro 2-5 mln lekë, sërish me 10%, nëse paratë që i mbeten pas pagimit të taksave aktuale, nuk i investon por i mban si e ardhur personale.
Pra paqartësia e qëllimtë e ligjit, lë mundësi për taksimin për herë të dytë, me 10% të tjera, të biznesit të vogël! Kjo, për ne është e pa pranueshme. Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij është ai i taksimit të parave të emigrantëve ose paratë e sakrificës. “Sipas këtij ligji, me miratimin e tij, “e ardhur e tatueshme” do të jetë: “të ardhurat monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave. “Kategoritë e parave nën këtë përcaktim janë: paratë e emigrantëve, paratë e evazionit fiskal, paratë e korrupsionit, paratë e krimit dhe veçanërisht atij që ushtrohet jashtë Shqipërisë, paratë që financojnë terrorizmin”, deklaroi Braçe.
#