QSUT, ilaçet bazë, të afishuara për çdo shërbim
Drejtoria e Qendrës Universitare shpërndan udhëzimin. Pacientët do të informohen për barnat që ka spitali
Ilaçet bazë që ka çdo shërbim në spital do të jenë të afishuara në mënyrë të dukshme me secilin pavijon. Udhëzimi për të publikuar në mënyrë transparente listën e medikamenteve spitalore, është formuluar nga drejtoria spitalore e qendrës “Nënë Tereza”. Në këtë mënyrë, të gjithë pacientët të cilët shpeshherë janë të detyruar të blejnë ilaçe, edhe atëherë kur shërbimi ka “gjendje”, do të informohen për të gjitha materialet që ka spitali apo mungesat e mundshme. Ndryshe nga vitet e tjera ky vit do të ketë ndryshime dhe të reja për vitin 2010. Pas masave të marra nga drejtoria për farmacistet të cilat nuk kryen sipas detyrimeve të paracaktuara, planifikimet për fiziologjik, preparat i përdorshëm për serume, masa të reja, tejet transparente po merren për informimin dhe kujdesin ndaj pacientit.
Afishimi
Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” është më e madhja në vend për shërbimet dhe funksionin terciar që ka. Po ashtu edhe blerjet që bën drejtoria juridike pranë kësaj qendre, për medikamente apo pajisje spitalore janë të konsiderueshme.
Shpeshherë drejtuesit më të lartë të shëndetësisë, e punonjësit e kësaj qendre kanë vendosur në dukje problemet me mungesën e medikamenteve, abuzimet me barnat apo dërgesat e qëllimshme të pacientëve për në farmacitë pranë spitalit.
Masa më e re e marrë nga drejtoria spitalore, synon pikërisht eliminimin e mungesës së transparencës dhe informimin për të gjithë pacientët që marrin shërbim spitalor në këtë qendër. Sipas të dhënave dhe diskutimeve mes përfaqësuesve të shëndetësisë, e veçanërisht të QSUT-së, shumë shpejt pranë shërbimeve kryesore veç listës së barnave, pritet të afishohet edhe karta e të drejtave të pacientit.
Barnat
Barnat e spitalit më të madh të vendit janë të gjithfarëllojshme. Shpeshherë, ndër pavijonet më problematike për mungesën e barnave janë, shërbimet e sëmundjeve të vështira, të cilat kanë edhe kosto tepër të larta për medikamente. Onkologjiku, hematologjia, gastrohepatologjia, pediatria e specialiteteve, por edhe pavijone të tjera ku trajtohen pacientë me sëmundje specifike, për trajtimin e të cilëve nevojiten barna me kosto të konsiderueshme.
Sakaq, disponon apo jo farmacia e madhe e QSUT-së, janë tërhequr apo jo nga kujdestarët e pavijoneve, lista e barnave bazë për secilin shërbim do të jetë e afishuar në mënyrë të dukshme për të gjithë pacientët. Në rast se do të evidentohen abuzime apo shkelje të rregullave dhe udhëzimeve të QSUT-së, sigurisht që do të ketë edhe penalizime apo ndëshkime.
Risi, por edhe ndryshime të tjera priten gjatë këtij viti në qendrën spitalore të vendit. Kjo është java përmbyllëse për të gjithë kryesorët dhe primarët të cilët punojnë në qendër. Javën e ardhshme, QSUT-ja pritet të publikojë analizën vjetore, me arritjet e dështimet përgjatë një viti. Raportime lidhur me mbarëvajtjen në punë do të ketë edhe për çështjet e barnave.
#